Kur iu desh të bënte radiografinë e ekonomisë për vitin 2023, Edi Rama s’e fshehu aspak optimizmin.

“Është pamja e një organizmi të suksesshëm”.

Përpara Asamblesë së zgjeruar të Partisë Socialiste të Fierit ku prezantoi buxhetin për vitin 2024, krahasimin e financave për vitin që po lëmë pas e bëri me fqinjët tanë në rajon.

“Shqipëria sot ka një nga ekonomitë më rezistente në rajon”.

Por cilat janë pritshmëritë e qeverisë së tij në raport me treguesit ekonomik për 2024?

“Kemi një ulje me 15 përqind të borxhit dhe projeksioni ynë është që viti e ardhshëm ne do të zbresim nën 60 përqind. Shqipëria pati dhe ka sot inflacionin më të ulët në rajon, nën mesataren e BE. Aktualisht jemi me 4.1 përqind dhe sipas Bankës së Shqipërisë vitin e ardhshëm inflacioni do të rikthehet në normalitetin midis 2 dhe 4”.

Shqiptarët i garantoi se nuk do të ketë rritje taksash.

“Asnjë taksë nuk do të rritet. Jemi i vetmi vend në rajon që ka biznesin e vogël me 0 taksë dhe 0 TVSH”.

Madje në projeksionet që ka foli edhe për një rishikim të taksës progresive.

“Kishim 1 milionëshin si nivel të lartë, sot nuk është 1 milionëshi niveli i lartë. Edhe aty do të mundohemi të bëjmë një zbutje”.

E vetmja rritje që qeveria e tij ka parashikuar të bëjë për 2024-ën është ajo e pagave, ku 400 milionë euro janë parashikuar si zë në buxhetin e shtetit dhe 250 mln të tjera për pensionet, e shtrira në harkun kohor të dy viteve.

“Vitin e ardhshëm ne do ta çojmë pagën mesatare 900 euro”.

Uljen e borxhit dhe çeljen e negociatave i sheh si një ogur të mirë për performancën e ekonomisë në vijim.

“Ne bëhemi një shtet që mund të marrë së shpejti vlerësimin 2B”.

Përgjigje i ktheu edhe akuzave të opozitës për kapjen e drejtësisë, teksa tha se lufta ndaj korrupsionit mbetet një prioritet i qeverisë edhe për vitin 2024.

“Është vetëm fillimi i fundit. E kam kapur unë drejtësinë? Nuk ia vlen një shpjegim, sepse kjo është e qartë.”

Në buxhetin e vitit 2024 Edi Rama tha se prioritet krahas arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes e bujqësisë do të ketë veçanërisht turizmi, që sipas tij deri në Tetor ka sjellë në vendin tonë afro 9 milionë vizitorë.

Tv Klan