Dy javët e para të fushatës elektorale, kësaj radhe për socialistët do të jenë ndryshe.

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit në Tiranë, deklaroi se duke filluar nga 14 Prilli deri në fund të muajit Prill, paratë e fushatës elektorale do të përdoren për të blerë dhe mbjellë fidanë.

Më pas, dy javët e tjera do të jetë fushatë elektorale tradicionale.

“Duke qenë se fushata fillon në 14 Prill dhe mbaron në 14 Maj dhe duke qenë se nga 14 Prilli deri në fund të Prillit është koha e fundit për të mbjellë fidanë, paratë e fushatës për regjira, mitingje, mikrofona, ndotja akustike, do t’i vemë në dispozicion të blerjes dhe mbjelljes së fidanëve. Pastaj dy javët e fundit do bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Mbase do ta marrin dhe vendet e Europës këtë model që gjysmë fushata ta bëjnë me zero emetime”, u shpreh Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al