“SPAK të nisë hetimet për Monika Kryemadhin”
Kryeministri pretendon se paratë ruse kanë ndikuar në proces zgjedhore në vend, për të financuar kandidatë të ndryshëm. Për këtë arsye ai ka përsëritur edhe njëherë thirrjen për të nisur sa më parë hetimi për Monika Kryemadhin, e cila sipas EuReport ka marrë disa pagesa në një llogari të sajën jashtë vendit nga kompani ruse të regjistruara në parajsa fiskale.
“E vërteta e hidhur është që këto rubla paskan qenë shejtan i madh. Na kanë marrë shokë, na kanë marr shoqe në qafë. Kjo drejtësia e re do t’i japë përgjigje kësaj se kjo është një çështje e një urgjence të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare. Ne jemi vend i NATO-s dhe kjo përzierje me konto, e me “offshore”, e me lidhje kanalesh që çojnë para në drejtim të partive që këtu duan të sjellin lirinë, është problem shumë i madh të cilin drejtësia e re duhet ta adresojë më urgjencë”, tha Rama.
Pa përmendur emra Rama i sjell në vëmendje SPAK-ut urgjencën me të cilën u arrestua ish-zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, për marrjen e një arke me peshk në këmbim të një premtimi për punësim. E sipas tij drejtësia duhet të veprojë sepse paratë ruse kanë ndërhyrë për të diktuar zgjedhjet në Shqipëri.
“Unë e kuptoj që janë me rendësi dhe arkat me peshq që mund të merren për të gatuar pa paguar peshkun në fundjavë dhe edhe arkat me peshk nuk duhen marrë dhe duhen dënuar ata që i marrin, por kjo nuk është më punë peshqish, është punë peshkaqenësh që kanë hyrë në territorin e vendimmarrjes në Shqipëri dhe që kanë hyrë në procesin e zgjedhjeve në Shqipëri duke paraqitur kandidatë dhe kandidate peshkaqenë. Me këtë duhet të merret drejtësia, se s’është çështja, ne mund të themi çfarë të duam, por drejtësia do të merret me këtë punë”.
Prej një jave socialistët po përsërisin të njëjtën kërkesë drejtuar SPAK-ut për të nisur hetimet për paratë ruse që Monika Kryemadhi, ish-kryetare e LSI aktualisht deputete ka përfituar në llogarinë e saj bankare jashtë vendit.
Tv Klan