Edi Rama është treguar edhe me i vendosur për t’i shkuar deri në fund procedurës për shkarkimin e Presidentit të Republikës në parlament.

Në takimet elektorale në Divjakë dhe Lushnje ai e cilëson aktin e kreut të shtetit për të anuluar 30 Qershorin si datën e zgjedhjeve lokale të cilin dhe me këtë takim maxhoranca dëshmoi se e cilëson si nul, si aktin që nxori në dritë planin e tij dhe drejtueseve të opozitës kundër reformës në drejtësi.

Ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë e, jo vetëm të republikave parlamentare, por të panjohur në historinë e qeverisjes së botës. Firmos dhe ç’firmos. Sikur bota të hynte në logjikën e Ilir Metës, që firma e çdo autoriteti të ishte e mundur të zhbëhej, nuk do të kishte më shtet, rregull, drejtim, por do të bëhej mbarë bota një rrumpallë e madhe. Prandaj kjo do të mbetet vetëm një vepër e shëmtuar, një vepër papërgjegjshmërie dhe një vepër që nuk mund as të pranohet as të tolerohet. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit të Republikës për sa kohë që fuqia e popullit sovran është tek parlamenti dhe pa diskutim për sa kohë që parlamenti ka jo vetëm të drejtën por ka detyrën të reagojë në emër të sovranit nëse Presidenti çmendet.

Rama i përmendi disa herë si një grupim të vetëm Presidentin, Sali Berishën, Lulzim Bashën e  Monika Kryemadhin që sipas tij  po punojnë kundër integrimit, që për kryeministrin dëmtohen nëse zgjedhjet nuk zhvillohen në 30 Qershor.

Ironizon deklaratat e kreut te shtetit se kishte informacione për trazira ne 8 Qershor kur bëri të njohur vendimin për të shfuqizuar dekretin e zgjedhjeve.

“Nuk janë qindra mijëra njerëz që janë ngritur si në 1997, janë 4 veta, dy kryesorët Iliri dhe Saliu, Monika fallxhorja me artistin, dhe e gjitha kjo është jo fortunë në gotë por llum në filxhanin e fallxhores dhe një përpjekje e dëshpëruar për të penguar atë që nuk e pengojnë dot më. Nuk e kanë dashur që në fillim reformën në drejtësi.”

Shprehet i bindur se në 30 Qershor do të ketë proces zgjedhor, e që vendi nuk do përjetojë skenare të ngjashme me ato të 97.

Si çdo 12 Qershor këto 6 vitet e fundit, Edi Rama nuk harron t’i urojë Lulzim Bashës edhe ditëlindjen, që përkon me ditën e themelimit të Partisë Socialiste.

Tv Klan