Pas fjalimit të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës kundër rezolutës së Dick Marty, Kryeministri Edi Rama tha mbrëmjen e kësaj të mërkure për “Opinion”, se solidariteti i komunitetit ndërkombëtar nuk është diçka e mirëqenë në raste si ky, kur vihet në pozitë të vështirë një nga institucionet më kryesore të këtij komuniteti.

“Solidariteti i komunitetit ndërkombëtar nuk është diçka e mirëqenë në raste si ky, kur vihet praktikisht në një pozitë të vështirë një nga institucionet më kryesore të komunitetit ndërkombëtar, sepse gjendet përpara një pasqyre e cila dëshmon për një gafë të rëndë, për një gafë me proporcione të paimagjinueshme, një gafë që ka çuar në një proces absolutisht surreal të denjë për letërsi, të denje për kinematografi, por jo për jetën reale të politikës ndërkombëtare. Është një nga rastet mendoj unë që me kalimin e kohës, dhe me kthjellimin e ujërave të turbullta dhe me humbjen e interesit të drejtpërdrejtë të forcave të ndryshme që interferojnë në këtë proces, do të hyjë si një nga dështimet më të mëdha monumentale të politikës ndërkombëtare. Ky është një proces. Po të vinit re sot në reagimet, ishin reagime njerëzish të shokuar, sepse një pjesë e tyre nuk se kanë ndonjë dijeni të madhe. Plus vende që nuk e njohin Kosovën, pjesa më e madhe e atyre që reaguan. Plus një bombë e hedhur në mes të një mexhelisi ku flitet në mënyrë krejt tjetër, etj”.

Rama shprehet i bindur se forca e të vërtetës dhe efekti i saj do të bëjnë punën e vet.

“Forca e të vërtetës dhe efekti i saj do të bëjnë punën e vet, unë e jam i bindur për këtë. Natyrisht që ne do duhet të këmbëngulim. Amerikanët nuk i shoh ku hyjnë në këtë mes, amerikanët nuk kanë lidhje fare. Sepse këtu bëhet fjalë për Këshillin e Europës, bëhet fjalë për zhbërjen e një gabimi tragjik, që nuk është se do të ndryshojë gjërat që janë bërë dhe dëmet e mëdha që kanë ndodhur dhe padrejtësinë e madhe që iu është bërë shqiptarëve në tërësi duke i pikturuar botërisht si njerëz që edhe në një luftë për liri e kanë mendjen të trafikojnë deri dhe organe të qenieve njerëzore për të bërë para, përmes barbarisë ekstreme. Sidoqoftë do të kthejë besimin tonë tek ky institucion, tek politika ndërkombëtare dhe mbi të gjitha do të rivendosë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur krejt padrejtësisht të luftës heroike të UÇK, dhe të sakrificave të panumërta të shqiptarëve. Unë besoj që kjo nuk është pak dhe në fund të fundit kjo është detyra jonë”./tvklan.al