Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë. Në këtë takim sipas Ramës është diskutuar për zgjedhjet e 25 Prillit, por dhe për punët që e presin Vlorën.

Në një prononcim për mediat, Rama tha se dhe pse nuk është deputet i Vlorës asgjë nuk e ndan nga ky qark. Më tej tregoi se sot do të zhvillonte dhe një takim me Ministrin e Brendshëm dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit.

“Ishte një takim i detyruar si rezultat i mbarimit të një beteje të rëndësishme që ne e fituam këtu në qarkun e Vlorës duke arritur objektivin. Por dhe si një nevojë për t’iu thënë të gjithëve se unë kam zgjedhur formalisht Durrësin, edhe për t’i kushtuar Durrësit një vëmendje të veçantë me praninë  si deputet, por do vazhdoj të jem në Vlorë pa asnjë lloj ndryshimi madje duke bërë më shumë.

Me Vlorën nuk më ka lidhur mandati i deputeti dhe as nuk më ndan. E rëndësishme është që të vijojmë punët në Vlorë, në të gjithë qarkun dhe në të gjithë Shqipërinë. Për sa i përket punëve të vogla të Vlorës, unë jam shumë i shqetësuar, jo vetëm për Vlorën, por dhe për të gjitha bashkitë që menaxhojnë sezonin turistik.

 Të më lejoni që të largohem se kam thirrur në takim ministrin e Brendshëm dhe drejtuesit e Policisë për të publikuar një fazë të re të ristrukturimit, për arsye të mirëkuptueshme është e rëndësishme që të përshpejtohet me disa javë dhe të mos presim fundin e Verës”, u shpreh Rama./tvklan.al