Kryeministri Edi Rama ka thënë se Partia Socialiste ka testuar identifikimin biometrik pas zgjedhjeve të vitit 2017. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Rama tha se testimi u krye në selinë e Partisë Socialiste. Sipas tij, problemi më i madh është koha për ta implementuar.

Megjithatë, Kryeministri theksoi se mazhoranca e ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike dhe opozitës për identifikimin biometrik të zgjedhësve. Por, ai thotë se këtë proces duhet ta realizojë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Kurse Partia Demokratike do të ketë zv/kryetarin e KQZ për të monitoruar implementimin.

Shefi i qeverisë theksoi se nëse arrihet të realizohet ky proces për zgjedhjet e ardhshme, atëherë PS do të hyjë në zgjedhje duke aplikuar identifikimin biometrik. Në rast të kundërt, tha Rama, do të duhet të marrin fund akuzat për sabotim.

“Me reformën zgjedhore po ndodh ajo që u tha qartë nga ambasadorja e SHBA. Topi është në fushën e PD dhe përsa na takon ne e kemi mbyllur këtë proces. Mendoj që kemi bërë të gjitha koncesionet e arsyeshme dhe mendoj që kemi në dorë një produkt të mirë.

Nëse do t’i qëndronim strikt kornizës së rekomandime të OSBE-ODIHR, ne nuk duhet ta diskutonim fare përfshirjen e teknologjisë në proces. ODIHR nuk e rekomandon përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Ne kemi bërë një studim pas zgjedhjeve të vitit 2017 me dëshirën për të adresuar këtë problem në mënyrë që alibia e elektronikës çudibërëse të binte. Dhe faktikisht nuk është diçka e pabëshme. Do të thotë një identifikim elektronik ofline. Problemi me këtë është që kjo është një gjë që kërkon kohë. ODIHR kërkon që në rast se një vend zgjedh të shkojë në drejtim të teknologjisë, në asnjë mënyrë nuk duhet të shkojë menjëherë. Ata sugjerojnë një ecje me faza, me projekt pilot. Ne donim që zgjedhjet e 2019 të shërbenin për të bërë funksionimin. Problemi që kemi sot është koha. Kemi humbur shumë kohë, jo për shkakun tonë po sepse nuk bëhen rregullat e lojës me molotov. Koha është shumë e shkurtër. Ne kemi bërë dhe simulime në selinë e PS. Dhe ajo që ne kemi marrë nga të gjitha analizat dhe konsultimet me kompanitë që e bëjnë, është që nga momenti i nënshkrimit të kontratës deri në lëvrimin e produktit, minimuni është 6 muaj.

Në rast se kontrata nënshkruhet në fund të Janarit, mbetet Shkurti dhe Marsi. Kështu që jemi në pamundësi objektive sipas meje. Ne jemi gati që të shkojmë në zgjehdje me 100% në teknologji, por nuk duam të përfshihemi në procesin e realizimit. Që do të thotë KQZ dhe PD duhet ta marrin përsipër këtë punë. Qeveria do të mbështesë financiarisht por nga pikëpamja e përgatitjes së procesit, tenderit, kontratës, implentimim, është KQZ që duhet ta bëjë. Dhe PD le të gjejë vetë personin zv/kryetar të KQZ me mandat strikt për ta ndjekur këtë proces që nesër mos kemi përsëri atë avazin e vjetër. Në fund u bë teknologjia, ne shkojmë me teknologjinë. Nuk u bë, nuk dëgjojmë më gër-gër se si ne e sabotuam”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al