Varhelyi: Pa Kuvendin e plotë nuk ecet në rrugën e integrimit. Rama: PD, e mirëpritur për të nisur një proces diskutimi pa kushte



Varhelyi: Pa Kuvendin e plotë nuk ecet në rrugën e integrimit. Rama: PD, e mirëpritur për të nisur një proces diskutimi pa kushte

10:38 05/05/2021

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë një konference të përbashkët që ka pasur së bashku me eurokomisionerin për zgjerimin, Oliver Varhelyi se dëshiron që mandati i tretë i socialistëve të mos i ngjajë dy të parëve sa i përket luftës së brendshme politike. Ai përsëriti edhe njëherë ofertën për bashkëpunim për Partinë Demokratike për të hapur, sipas kryeministrit, një proces të ri diskutimi në mënyrën se si mund të punojnë dy forcat për të mirën e vendit. Kjo sipas Ramës duhet të bëhet pa asnjë kusht.

Edi Rama: Dua të përsëris që bindja dhe vullneti im është që mandati i tretë të mos i ngjajë dy të parëve në aspektin e luftës së brendshme politike. PS do ta braktisë llogoren e asaj lufte të vjetër bajate, banale krejt të panevojshme për vendin dhe për sa më takon. Do ta mbajmë dorën e shtrirë pa asnjë ndërprerje për opozitën, për PD-në. PD është e mirëpritur kurdoqoftë dhe sidoqoftë të kthehet me këmbë në tokë për të hapur një proces diskutimi krejtësisht pa asnjë kusht për mënyrën se si ne mund të kontribuojmë bashkarisht për të shtyrë sa më shumë përpara punët dhe patjetër edhe integrimin europian të Shqipërisë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar në këtë aspekt dhe me ndihmën tuaj besoj që do të jem edhe unë në gjendje të qëndroj larg nga polemikat e kota, të lodhshme, të vjetra për partitë dhe me partitë. Shqipëria është një moment me kaq shumë potencial për të kaluar në një nivel tjetër. Mandatin e kemi marrë që ta kalojmë në një vend tjetër.

Nga ana tjetër, eurokomisioneri Oliver Varhelyi deklaroi se ka ndjekur procesin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ai u shpreh se tashmë priten rezultatet e qarta përfundimtare. Eurokomisioneri u shpreh se pa Kuvendin e plotë nuk mund të ecet në rrugën e integrimit europian.

Oliver Varhelyi: Ne kemi një ambasador shumë të mirë në Shqipëri dhe jam krenar që kam mundësinë të punoj. E ndjek punën e tij dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm edhe për procesin e zgjedhjeve. Jam shumë i kënaqur me punën që ambasadori i BE-së po bën në Shqipëri.  Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve unë e kam ndjekur nga afër gjithçka që po ndodh dhe median, por edhe çka thënë OSBE/ODIHR. Mendoj se pas një fushatë zgjedhore të zjarrtë gjëja që na nevojitet janë rezultatet e qarta përfundimtare. Ka filluar periudha e apelimit, kështu që ne dëshirojmë të shikojmë të gjitha parregullsitë qoftë edhe blerjen e mundshme të votave që të ndiqen nga të gjitha autoritetet gjyqësore. Pas këtij procesi do na duhen rezultatet përfundimtare. Pas rezultateve përfundimtare do na duhet që Kuvendi i Shqipërisë të fillojë nga puna shumë shpejt për reformat e BE-së. Pa Kuvendin e plotë nuk mund të ecet në rrugën e integrimit europian. Ka mjaft punë për të bërë. Në rast se do të ishte një marrëveshje për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare të Shqipërisë, në rast se do të ndodhë kjo gjë, atëherë puna jo vetëm që do të duhet të vazhdojë, por të shtohet dhe jo vetëm nga qeveria, por edhe Kuvendi i ri i Shqipërisë. Ne duhet të tregojmë me punën tonë që japim rezultate, po presim rezultatin e procesit të apelimit dhe shpresojmë që Shqipëria të ecë përpara dhe të punojë plotësisht për anëtarësimin e saj në BE.

Non Paper-i, Varhelyi: Të bindur në pavërtetësinë e tij. Rama: Rruga e duhur, Shengeni Rajonal

Kryeministri Edi Rama dhe Eurokomisioneri Oliver Varhelyi janë në një mendje, kur pyeten për dokumentin “non paper”, të publikuar së fundmi, që flet për ndryshim të kufijve në Ballkan. Varhelyi tha se jo vetëm që dokumente të tilla nuk janë të vërteta, por BE nuk mbështet asnjë ide të tillë.

“Është në fakt si një stinë ku tashmë po shikojmë që kanë lulëzuar dokumente të tilla që quhen non paper. Është interesante kur dëgjojmë lajme të tilla, edhe pse jemi të bindur që asnjë nga këto non paper nuk janë të vërteta. Po të ishin do të ishim të shqetësuar sepse sigurisht që ripërcaktimin i kufijve në Ballkanin Perëndimor e dimë shumë mirë se ku na çon kjo lloj gjëje. Kështu që nuk besoj që asnjë person serioz do ta vinte një gjë të tillë mbi tryezë, për të diskutuar mbi të e në veçanti në këtë rajon ku jemi. Nuk jemi dakord me asnjë pjesë të saj. Nuk mendoj që këto janë ide të vërteta dhe reale, por ndoshta u shërben më shumë disa synimeve të tjera dhe unë ndihem mirë dhe jam i qetë që ato janë njoftuar pikërisht nga ata persona të cilëve u është atribuuar këto non paper. Kështu që kalojmë tek stina tjetër dhe kjo ka të bëjë me atë sesi do ta bëjmë stinën e Ballkanit Perëndimor dhe si do të marrin në fakt marrëveshje për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare jo vetëm më Shqipërinë, por edhe me RMV dhe sesi do të punojmë për aplikimin e metodologjisë së re në lidhje me Serbinë dhe Malin e Zi dhe sesi do të vazhdojmë të vijojmë me dialogun. Këto janë ato çështjet e vërteta dhe i kam zili të gjithë ata që kanë kohë të bëjnë dokumentet të tilla”.

Ndërsa Kryeministri Rama tha se vizioni dhe bindja e tij është se rruga e duhur për Ballkanin Perëndimor është Shengeni Rajonal.

“Unë e kam dhënë opinionin tim dhe nuk do lodhem së përsërituri që ne duhet të ulim prodhimin e historisë dhe të rrisim prodhimin e ekonomisë. Sa i përket Ballkanit, vizioni dhe bindja ime është e shpallur, Shengeni Rajonal është rruga ku duhet të ecim përditë, ndërkohë që diskutojmë në mënyrë civile mosdakordësitë tona. Mosdakordësitë tona nuk duhet të na pengojnë asnjë ditë që të mbështetim së bashku rritjen ekonomike, përmirësimin e situatës sociale të njerëzve në këtë rajon, të mbështesim së bashku ndërtimin e një baze të re për të ardhmen, që t’u shërbejë të gjithë fëmijëve të rajonit. Shengeni Rajonal është një vizion dhe projekt i përqafuar plotësisht nga BE, i mbështetur nga KE dhe nga komisioneri, që është një kontributor konkret i këtij projekti me planin e investimeve, kështu që ka kaq shumë mundësi që na takon t’i shfrytëzojmë, sa është gjynah të humbasim kohë të çmuar duke prodhuar e riprodhuar histori që nuk na çojnë asgjëkundi. Nuk shoh asnjë mundësi që ne të gjejmë zgjidhje magjike për problemet që duhet të zgjidhim me durim në rajon, por jam i bindur që sa më shumë ta përmirësojmë atmosferën sociale, fqinjësore mes vendeve, aq më shumë krijojmë kushtet që edhe mosdakordësitë e mëdha të trajtohen në mënyrë civile, europiane dhe produktive. Fatkeqësisht artin e sajimit të konflikteve jo produktive e kemi realisht një art për të cilin nuk na konkurron askush. Ne duhet të europianizohemi dhe nuk duhet të riballkanizohemi ndërkohë që jemi në mes rrugës të ballkanizimit dhe europianizimit”.

Pandemia, Varhelyi: Kemi propozuar që të hapen kufijtë e BE-së. Rama: Nuk do të pengojmë turistët që duan të vijnë në Shqipëri

Komisioni Europian i ka propozuar shteteve anëtare të Bashkimit Europian që të rifillojë udhëtimi i shtetasve që vijnë nga Ballkani Perëndimor edhe pa pasur arsye thelbësore. Eurokomisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, deklaroi këtë të mërkurë nga Rinasi se për t’u bërë kjo duhet shikuar situata epidemiologjike në këto vende.  

Oliver Varhelyi: Shpresoj shumë që me 651 000 doza në thjesht po çelim dorëzimin e këtyre dozave. Ne po punojmë edhe për iniciativa të tjera, ose për të sjellë pra doza të tjera dhe shpresoj që unë do të vij vetë personalisht në të ardhmen dhe shpresoj që do vijnë doza aq shpesh sa unë s’do të kem kohë të vij në Shqipëri. Ndërsa pyetjes tjetër përgjigj është që po. Ne i kemi bërë një propozim shteteve anëtare dhe shtetet anëtare e marrin këtë vendim. Pra, vendime sesi do të ecet përpara, sesi do procedohet, është një rekomandim që ne propozojmë. Në rekomandimet tona, ne kemi sugjeruar që shtetet anëtare të hapin sërish kufijtë dhe të lejojnë edhe qytetarët e shteteve të tjera të hynë në BE, veçanërisht nga Ballkani Perëndimor edhe pa pasur arsye thelbësore. Pra, që të rifillojë udhëtimi i tyre. Ne për këtë po përdorim të dhëna epidemiologjike. Ato vende që kanë situatë të mirë epidemiologjike të kenë mundësi që qytetaret e tyre të udhëtojnë, pra të vizitojnë shtetet anëtare të BE, si dhe ata individë të cilët janë të vaksinuar. Shpresoj që në formë graduale ne të rifillojmë këtë proces dhe shpresoj të kemi një verë që do t’i ngjajë një vere normale pasi ka ardhur koha për të vendosur këtë gjë.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama tha se vendi ynë nuk do të përdorë asnjë pengesë për personat që duan të bëjnë turizëm në verë në Shqipëri.

Edi Rama: Shqipëria nuk do të përdorë asnjë kusht dhe asnjë pengesë për të gjithë ata që duan të vijnë në Shqipëri për një sezon turistik, që siç e kam thënë dhe më parë do të jetë një sezon shumë më i lehtë sesa ai i shkuari dhe me shumë kënaqësi po ndjek të gjithë procesin e pronotimeve dhe kërkesave që rriten vazhdimisht nga vendet tjera për të ardhur për të kaluar pushimet në Shqipëri. Sot jemi në pozicion realisht të admirueshëm nga pikëpamja epidemiologjike, nga pikëpamja e sasisë së vaksinave të bëra. Do vazhdojmë me ritëm të lartë vaksinimin. E kemi realizuar objektivin e gjysmë milionë vaksinimeve, 29 ditë para afatit. Tani objektivi është 1 milionë dhe puna vazhdon intensivisht në mënyrë që Shqipëria të buzëqeshë e çliruar nga ky makth i gjatë dhe që kapaciteti i saj kryesor, që ka të bëjë me turizmin të përdoret sa më shumë këtë vit dhe pastaj totalisht, vitin e ardhshëm edhe në vijim.

Varhelyi në Rinas: 145 mijë vaksinat Pfizer, dhuratë nga BE

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Rinas me komisionerin Oliver Varhelyi, Kryeministri Edi Rama e falenderoi atë për mbështetjen për vendin tonë, e në veçanti për vaksinat që KE ka përcaktuar për vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.

Sapo kemi përfunduar një takim shumë miqësor me komisionerin Varhelyi i cili dhe njëherë tjetër ka përçuar përkushtimin dhe mbështetjen jo vetëm për vendin tonë, por për të gjitha vendet e rajonit duke qenë qysh në krye të herës zëri i arsyes në KE për të mos e lënë jashtë Ballkanin Perëndimor nga skema e shpërndarjes së vaksinave. Ka arritur të materializojë një punë të tij disa mujore edhe me mbështetjen e Presidentes së KE duke përcaktuar 651 mijë doza të vaksinës Pfizer, të shpërndara proporcionalisht për vendet e rajonit. Unë dua t’i shpreh mirënjohjen dhe dua ta falenderoj publikisht për këtë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë kohë të jashtëzakonshme.”

Rama tha se falë komisionerit në radhë të parë, KE u rikthye si motor i solidaritetit jo vetëm për planet e rimëkëmbjes, por edhe për vaksinimin e vendeve europiane, përfshirë vendet e rajonit.

“Nga ana tjetër dua të nënvizoj faktin se falë komisionerit në radhë të parë, KE u rikthye si motor i solidaritetit jo vetëm për planet e rimëkëmbjes, por edhe për vaksinimin e vendeve europiane përfshirë në këtë rast 6 vendet e rajonit tonë. Nga ana tjetër më vjen natyrshëm që të kujtoj këtu se KE ka mundësuar njëkohësisht kualifikimin e vendeve të rajonit, por në këtë rast flas për Shqipërinë, për fondet për përballimin e pasojave shëndetësore të pandemisë përmes fondit të solidaritetit të BE. Janë afro 1 mln Ero që i takojnë Shqipërisë. Po ashtu KE ka miratuar propozimin e paketës makro financiare për BP duke disbursuar një lot të parë pre 90 mln Eurosh. Shuma totale prej BE-së prej 2.2 mld Euro do të kontribuojë edhe për lëvrimin e vaksinave për rajonin. Tani më kanë mbërritur dozat e para në Shqipëri. Deri në Gusht Shqipëria do të marrë të gjithë pjesën e saj të akorduar të vaksinave”.

“Me komisionerin kemi diskutuar edhe për vazhdimësinë e planit të madh të investimeve për Ballkanin Perëndimor ku Shqipëria bën pjesë si aktore në këtë proces. Jemi shumë optimistë që tani më shumë gjëra janë vënë në vijë dhe projektet e mëdha do të lëvizin në drejtimin e duhur.  Mirënjohje për ardhjen këtu personalisht për të dëshmuar jo vetëm simbolikisht, por edhe faktikisht qëndrimin në krah të vendit tonë dhe të gjitha vendeve të Ballkanin Perëndimor”, tha Rama më tej.

Vetë eurokomisioneti tha se Shqipëria do të marrë 145 mijë doza vaksina Pfizer të financuara 100% nga BE.

“Kemi punuar fort, por mendoj se po vijmë këtu në momentin e duhur, në një moment kyç, në një moment ku ne duhet të fillojmë të dalim tashmë nga kjo pandemi. Dalja nga pandemia është e mirë nëse ne promovojmë vaksinat dhe arrijmë t’i kemi ato. Për ne është prioritet që fqinjët tanë të kenë vaksina, të bëhet vaksinimi dhe prandaj, Ballkani Perëndimor është edhe më shumë i rëndësishëm. Shqipëria do të marrë 145 mijë doza vaksina Pfizer që BE jo vetëm po i sjell, por janë të financuara 100% nga BE. Këto janë një dhuratë për ju nga ana jonë, për t’ju treguar që ju keni rëndësi për ne. Një gjë tjetër që dua të bëj të qartë është që nuk do të kishim bërë të mundur këtë gjë pa miqtë austiakë dhe qeverinë austriake të civilët kanë qenë të rëndësishëm për ne”./tvklan.al







Të ngjashme