Kryeministri, akuza të drejtpërdrejta ndaj Metës dhe Berishës

Kryeministri Edi Rama është i drejtpërdrejtë kur thotë se reforma në drejtësi pengohet nga Presidenti Ilir Meta dhe Sali Berisha. Gjatë prezantimit “Drejtësia që duam”, Rama tha se  “PD, LSI dhe KÇK, sot janë 3 këmbët e të keqes me dy koka presidentësh, që kërcënon fatin e reformës në drejtësi.”

“Është një rrugë tejet e vështirë, me pengesa dhe prita të llojllojshme, ku forcat e kundër reformës rezistojnë, reagojnë, godasin, në mënyrë të ethshme. Në krye të atyre forcave, frymëzuesit dhe udhëheqësit e kundër-reformës janë dy të frikurit më të mëdhenj nga drejtësia, janë presidenti dhe ish-presidenti më famëkeq i kësaj republike. Ata mbështeten nga kasta e korruptuar e gjykatësve e prokurorëve të pastruar të fshesës së vettingut, apo të atyre që vazhdojnë të bëjnë krime me çekiçin e drejtësisë, sot e gjithë ditën, deri kur t’ju vijë dita e fshesës së vettingut, që afron çdo ditë për secilin prej tyre. PD, LSI dhe KÇK, sot janë 3 këmbët e të keqes me dy koka presidentësh, që kërcënon fatin e reformës në drejtësi”, tha Rama.

Rama: Fati i drejtësisë së re varet nga zgjedhjet e 25 Prillit

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të mërkurë se zgjedhjet e 25 Prillit janë vendimtare edhe për fatin e Reformës në Drejtësi. Kreu i qeverisë tha se qytetarët kanë të drejtë që të jenë të lodhur duke pritur drejtësinë e re. Megjithatë për Ramën, ndërtimi i një sistemi drejtësie të drejtë nuk ka qenë e lehtë, por një ndër punët më të vështira dhe si e tillë kërkon kohë. Sipas Ramës, PS-ja është e vetmja forcë që mund të niste dhe të përfundojë Reformën në Drejtësi.   

“Më dëgjoni me shumë vëmendje këtë që po përpiqem t’ju them sot. Këto zgjedhje lidhen në radhë të parë me fatin e drejtësisë në Shqipëri për një kohë të gjatë pas 25 Prillit, mbase për më shumë se një dekadë të tërë. E di mirë që jeni lodhur duke pritur me dekada drejtësinë që ju meritoni dhe që ne shumica e sotme PS duam për Shqipërinë, për të gjithë qytetarët e vendit që unë dua. Jeni lodhur me padrejtësinë dhe pandëshkueshmërinë për ata që ju mendoni që nuk meritojnë vend tjetër veç bankës së të akuzuarve për zullumet që kanë bërë dhe bëjnë sot e gjithë ditën, sidomos për ata që kanë kostum, kanë kravatë, të cilët duken se janë të paprekshëm pavarësisht atyre që bëjnë, por kjo lodhje është sot këshilltari më i keq në rrugën për të arritur drejtësinë që duam. Kjo lodhje, kjo pakënaqësi kaq e vërtetë në thelb mund t’ju çojë në vendimin e gabuar më 25 Prill. Ndërtimi i një sistemi drejtësie të drejtë, të atyre që e morën peng për kaq vite me radhë, nuk është një punë e lehtë, por puna më e vështirë mes të tëra punëve kaq të vështira për shtetndërtimin tonë europian. Kërkon më shumë kohë, më shumë vendosmëri sesa çdo punë tjetër. Më duhet t’ju kujtoj se kjo puna ka nisur shumë pak vite më parë dhe mos e harroni kurrë, këtë punë mund ta niste nesër vetëm një forcë politike në këtë vend, PS”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se është i pakënaqur me ato çfarë janë bërë deri më tani, prandaj kërkon mandatin e tretë. Ai u shpreh se duhen përfunduar punët që janë nisur, ndërsa akuzoi opozitën duke thënë se “Sa herë fitojnë ata, Shqipëria humbet”.

“A duhet të më jepni mua dhe PS-së një mandat të tretë apo do të rimerrni në drejtimin e vendit ata që kanë qenë me vite aty. Ky që vjen është mandati i tretë për mua dhe PS dhe mandati i 5 për Saliun, Lulin dhe PD-në, pa harruar që është edhe mandati i pestë për Ilir dhe Monikën herë me PD-në dhe herë me PS-në. Të gjithë ata kanë të njëjtin avaz. Sa herë fitojnë ata, Shqipëria humbet. Besojeni Shqipëria nuk është ajo që unë dua. Prandaj kërkoj mandatin e tretë se po të isha i kënaqur nuk do ndalesha këtu, por nuk duhet t’i lemë në mes punët që kemi nisur. Ka probleme për t’u zgjidhur dhe halle për t’u adresuar. Të gjithë sëbashku të jemi të vetëdijshëm njësoj si për dritën e mëngjesit, e ardhmja nuk ndërtohet as me receta çudibërëse elektorale edhe as me rikthimin e fantazmave të së shkuarës në pushtet, por me punë”, tha Rama.

Rama: Ndërkombëtarët mbështesin mazhorancën prej Reformës në Drejtësi

Kreu i qeverisë Edi Rama është shprehur këtë të mërkurë se ndërkombëtarët nuk mbajnë anë politike, por mbështesin mazhorancën pasi është partia e vetme në Shqipëri që mbron dhe lufton për Reformën në Drejtësi.

“Shumë kush nuk e kupton pse partnerët tanë ndërkombëtarë bëjnë deklarata që tingëllojnë shpesh pro qeverisë apo pro meje. Më dëgjoni mua. Nuk kanë anësi partiake dhe nuk është në natyrën e tyre që të marrin anë politikisht për qeverinë apo opozitën. Ka vetëm një arsye shumë të madhe dhe shumë të qartë, për mbështetjen e tyre që shpesh komentohet dhe madje përqeshet si mbështetje për ne, për mazhorancën e sotme dhe të nesërme për vendin, Reforma në Drejtësi dhe e ardhmja e drejtësisë në Shqipëri. Ku ta gjejnë një forcë më mbështetëse dhe luftarake për mbrojtjen e Reformës në Drejtësi se sa PS-ja”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se edhe PS-ja ka gabime, por prapë se prapë është e vetmja forcë që mund të udhëheqë luftën për Reformën në Drejtësi.  

“Unë nuk jam i dërguar i zotit në tokë dhe as nuk është kjo që po vjen një zgjedhje mes ëngjesh dhe djajsh. Ne nuk jemi zgjedhje ideale në këtë udhëkryq. Nuk jemi pa të meta. Jo jemi plot. Kemi bërë gabime që i dimë dhe që nuk i dimë. Ne nuk jemi pyll pa derra sepse batakçinj që kanë futur duart në xhepat tyre ka pasur dhe ka akoma, por PS nuk është as kishë as, xhami, por vizion i njerëzishëm për Shqipërinë, një mision që vazhdon, një karakter i pakrahasueshëm me të tjerët dhe në radhë të parë në krye të betejës për drejtësinë që populli shqiptar meriton”, tha Rama.

Vasilika Hysi largohet nga politika

Gjatë aktivitetin “Drejtësia që duam”, Kryeministri Edi Rama njoftoi largimin e Vasilika Hysit nga politika, pas 12 vitesh.

“Këtu është mbi të gjitha me mua Vasilika, nënkryetarja e Kuvendit e cila hyri në skuadrën tonë në vitin 2009, në krye të listës së Tiranës. Arsyeja përse ne jemi këtu është ajo që unë sapo fola, nuk jemi këtu për të foilur për atë që do bëjmë por për çka është bërë. Sot, unë jam i emocionuar edhe për një fakt të veçantë sepse Vasilika, e cila prej 12 vjetësh ka shërbyer me shumë përkushtim, në të gjitha proceset e ligjbërjes dhe që mos gabohem është zysha e të gjithë këtyre këtu, më ka bërë me dije se ka vendosur t’u hapë rrugën kalamajve. Kështu që, Vasilika, me të gjithë konsideratën dhe besoj nuk kishte vend më të mirë se ky, ku po flas çka kemi bërë për reformën në drejtë, në të cilën ti ke një rol kyç“, tha Rama.  

“Në fakt ishte kënaqësi që unë sot siç hyra 12 vite më parë në politikë me një ëndërr dhe dëshirë për të kontribuuar për të drejtat e njeriut, për një reformë në drejtësi dhe shumë reforma të tjera, sot bëj këtë dalje publike për të thënë që jam e nderuar dhe e respektuar që në këto 12 vite, në një mandat në opozitë, dhe 2 mandate në qeverisje, mundëm të bëjmë realitet një ëndërr që e kemi pasur të gjithë bashkë, reformën në drejtësi, të pronës, në administratë publike, respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe luftën kundër diskriminimit”, u shpreh Hysi.

Një vlerësim të veçantë, Hysi kishte edhe për kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

“Unë kam patur privilegj të punoj këto 4 vite, si zv/kryetare me Gramoz Ruçin, ka qenë një shkollë e dytë. Ju falenderoj e kam besim se skuadra e PS, do jetë model për mandatin e tretë por jo vetëm. Mbështetje maksimale jashtë grupit PS, por aktive për t’ju mbështetur, ndaj mos më kurseni”, shtoi ajo.

“Më jepni kohën”, Rama: 25 Prilli vendos për largimin e Metës, Berishës dhe Kryemadhit

Kryeministri Edi Rama kërkoi kohë për të çuar në fund Reformën në Drejtësi. Gjatë një fjalimi këtë të mërkurë, kreu i qeverisë tha se nëse PS-ja nuk do të ishte në front së bashku me qytetarët, Ilir Meta dhe Sali Bersha do ta kishin shkatërruar.

Rama hodhi akuza ndaj Presidentit Meta dhe tha se ai është armiku i betuar i drejtësisë së re. Prandaj, Rama bëri thirrje për të dalë në votime me qëllim që të largohet përfundimisht Meta, Berisha dhe Monika Kryemadhi.

“Tre atë parat mua nuk më mungojnë. Kohën duhet të ma jepni, por tre të parat nuk duhet t’ju mungojnë as juve, as kujt ndër jush që e do vërtetë këtë ndryshim të madh rrënjësor për Shqipërinë e gjeneratave të tjera, ikja e kujtdo prej jush nga ky front pa të cilën PS-ja nuk do ia kishte dalë ta kalonte dot Reformën dhe reforma nuk do i kishte mbijetuar dot agresioneve brutale të dy Presidentëve do të thotë hapje e një të çare në barrikadën përballë të keqes.

Ilir Meta e ka thënë hapur, 25 Prilli do të jetë një referendum që do të përmbysë Reformën në Drejtësi, ndërkohë që u përbetuar që do të japë dorëheqjen si president dhe do të marrë udhëheqjen e opozitës nëse fitojmë zgjedhjen. Ilir Meta nuk ka respekt për detyrën më të lartë të shtetit, nderin që mund t’i bëjë një individi të vetëm. Nuk ka respekt për Kushtetutën dhe për krejt njerëzit e këtij vendi, por ka vetëm hallin që tashmë e kanë marrë vesh edhe gurët dhe drurët. Le të shohim çfarë do të zgjedhin shqiptarët, drejtësinë apo Ilir Metën? E doni më troç se kaq dhe më të dukshëm se kaq para syve tuaja armikun e betuar të gjithë kësaj ëndrre dhe kësaj pune të madhe ku bashkë me ne dhe ne të gjithë, shqiptarët që e duan reformën në drejtësi janë angazhuar aq fort dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë. Kush voton ata që janë përballë nesh investon direkt kundër Reformës në Drejtësi.  Falë shkallimit të Ilir Metës 25 Prilli është bërë një rrugë e katër punë. Do të votohet për t’i hapur rrugën drejtësisë në këtë vend duke larguar nga kreu i vendit Ilir Metën dënuar përfundimisht në ekzilin e tij dixhital Sali Berishën dhe duke dërguar Monika Kryemadhin aty ku ka vendin, tek pakica e pakicës”, tha Rama.

Rama: Basha, kukull në duart e 3 xhagajdurëve

Kryeministri Edi Rama tha këtë të mërkurë se kundërshtari i tij politik, Lulzim Basha, nuk është rrezik për demokracinë, por politikan i dobët.

Dhe si i tillë sipas kreut të qeverisë ai është kukull e Sali Berishës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.  Rama hodhi akuza ndaj koalicionit PD-LSI dhe tha se është qesharak.

“Lulzim Basha nuk është një rrezik në vetvete, as për demokracinë, as për drejtësinë, por fatkeqësisht duke qenë një politikan i dobët, pa karakterin e një lideri ai është një kukull në duart e tre xhagajdurëve të tjerë që mund ta mbyllin Lulin në shtëpi me duart e vetë Lulit për 30 sekonda. Keni parë koalicion më qesharak se sa një koalicion paszgjedhor, i nënshkruar para zgjedhjeve me dy parti që hyjnë veç e veç. Është një koalicion tragjikomik,  i imponuar nga Saliu dhe Ilirit për ta lidhur Lulin me zinxhirët e Monikës që të mos guxojë të ikë i shkreti duke i lënë vetë përballë Reformës në Drejtësi dhe pasojave krejt të mundshme për ta. Kur Meta thotë që nëse fiton Edi Rama unë udhëheq opozitën do të thotë unë do të ngre barrikadën me PD, LSI dhe KÇCK-në në parlament për ta bllokuar reformën në drejtësi. Basha është thjesht administrator i shoqërisë aksionere që nuk merr vendime. Si mund të identifikohen demokratët e ndershëm dhe të sinqertë të këtij vendi që kanë të drejtën e vendit që të mos duan të na shohin me sy, në një parti ku janë mbledhur bashkë kuçi dhe maçi, jo për të përmbysur qeverinë, por drejtësinë e re pa kusure që ne po ngremë hap pas hapi të gjithë së bashku dhe me ata të cilëve u kërkoj mbështetje që siç u bëmë pjesë e NATO-s të bëhemi pjesë e barabartë BE-së. Kam besim që këto forca kundër reformës, të bashkuara qartësisht kundër reformës nuk do ia dalin. Hallet tuaja nuk mund të kthehen në votë për të zgjidhur hallin e tyre”, tha Rama./tvklan.al