“Pengesë për negociatat, egoizmi i disa vendeve

Në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”, kryeministri Edi Rama thotë se pengesë për negociatat e Shqipërisë me BE-në është bërë nacionalizmi dhe egoizmi i disa vendeve anëtare. I pyetur për marrëdhëniet me Turqinë, Rama tha se Erdogan iu gjend Shqipërisë në krizën e vaksinave ndërkohë që BE e kishte braktisur dhe izoluar Ballkanin.

Kur pyetet për integrimin në Bashkimin Europian, fatin e Shqipërisë Kryeministri Rama e sheh ngushtësisht të lidhur me union. Këtij interesi nuk i ka shpëtuar as e përditshmja italiane “La Stampa”, teksa Kryeministri ndodhet në Firence i ftuar për konferencën “The State of Union”, ku tha se pengesë për këtë ëndërr të kahershme të shqiptarëve sheh  egoizmin e disa prej vendeve anëtare.

 “Unë them se kjo histori është paksa qesharake, që ne kurrë nuk qenkemi gati për bisedime paraprake për të filluar procesin e integrimit. Është shumë e lehtë dhe e përshtatshme të gjuajmë me gurë ndaj atyre që janë jashtë derës. Por, nuk ka asnjë fat tjetër për Shqipërinë përveç Europës. Tani Brukseli vazhdon të shtyjë negociatat, pasi vendimi është marrë, për shkak të oportunizmit nacionalist dhe egoist të disa vendeve . Tani jemi dëshmitarë të një ballkanizimi të Europës. Na thoni ‘të dua, por nuk jam gati të martohemi’. Të kuptohemi, është e ligjshme që ka vende që kundërshtojnë zgjerimin, pa diskutim”.

Preferon të mos bëjë orakullin për të ardhmen e unionit, por të udhës e gjen krahasimin e BE-se me skuadrat italiane, duke mos anashkaluar ekipin e tij të zemrës.

“Është më e thjeshtë të parashikosh që Sassuolo do të shpallet kampione e Italisë, për të mos përmendur një emër të madh si Juventusi, që tani po vuan, sesa të vësh një bast për të ardhmen e Europës. Por, sigurisht, BE-ja është një krijesë ende e papërfunduar, ajo është ende një punë për t’u mbaruar”.

Refuzon ta shohë ndërprerjen e negociatave me BE-në si ndëshkim për detyrat e pakryera nga ana e qeverisë së tij.

“Në këtë rrugëtim aleate të besuar thotë se ka Italinë mike, por edhe Francën e Gjermaninë”.

“Italia është aleatja jonë më e madhe dhe më besnike. Kancelarja ishte ndoshta personi  që e njihte më mirë situatën në Ballkan, madje edhe presidenti Macron ka bërë shumë”.

Interesit të së përditshmes italiane se 26 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit, po shfaqen projekte sekrete për të ridizejnuar Ballkanin, Rama I përgjigjet duke thënë se status quoja nuk është e qëndrueshme.

“Diskutimi i vetëm i besueshëm aktualisht është krijimi i një zone ballkanike Schengen, që do të lejojë qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, për ta bërë konkurrues tregun e shteteve të vogla dhe të izoluara. T’u japim punë të rinjve tanë dhe të mos ushqejmë fyerje, populizëm idiot dhe të rrezikshëm”.

Interesit nuk i shpëtoi as ndikimi I kinës dhe Turqisë në Shqipëri pas sjelljes së vaksinave.

“Për fat. Presidenti Erdogan na dha dorën për të dalë nga një krizë e rëndë shëndetësore. Në fazën e parë të pandemisë, BE na braktisi dhe na izoloi. Me forcat tona, ne kontaktuam së pari Pfizer duke u nisur drejt së panjohurës në Nju Jork, pastaj AstraZeneca. Më në fund, fabrika e Sinovac në Turqi, që hapi dritën jeshile për eksport. Ne gjithashtu kemi Sputnik V. Ne bëjmë rreth 25 000 vaksina në ditë për me 2,8 milionë banorë”.

Kryeministri rama paralajmëroi se vaksinimi në masë I popullsisë do të sjellë njëherazi edhe rritje të turizmit, kryesisht atij Italian në Shqipëri.

“Nëse vaksinimet vazhdojnë kështu, ne do të kemi një verë të shkëlqyer pa asnjë kufizim. Ne jemi duke imunizuar stafet e hoteleve, ne jemi një vend i lirë dhe i sigurt. Italianë, po ju presim”.

Tv Klan