Rama: Pengmarrja bullgare, ndihmë për Rusinë




Rama: Pengmarrja bullgare, ndihmë për Rusinë

15:38 24/06/2022

Kryeministri publikon fjalën e mbajtur në samitin e BE

Edi Rama zgjodhi ta bëjë publike fjalën e mbajtur në samitin hermetik Ballkani Perëndimor – BE, ku kjo e fundit dështoi dhe njëherë ta bindë Bullgarinë të heqë dorë nga veto për Maqedoninë e Veriut.

Përveç se ka kërkuar më shumë se 3 minuta kohë që ju la në dispozicion Presidenti i Këshillit Europian liderëve të Ballkanit Perëndimor, Rama ka rreshtuar argumentet e tij përse dështimi është kryekëput i BE që lejon pengmarrjen e dy shteteve të NATO-s nga një tjetër vend i NATO-s për interesa krejtësisht të brendshme, por që në këtë mënyrë kënaq interesat ruse.

“Çfarë turpi për Europën kjo historia bullgare! Agresori rus i Ukrainës po merr një ndihmë tejet bujare dhe madje të pakërkuar nga një vend i NATO-s, i cili po destabilizon një tjetër vend të NATO-s, duke nxitur më shumë mllef e pakënaqësi në një rajon si i yni, që ende mund të mos jetë pjesë e BE-së, por mbetet një pjesë e Europës, ku sot Vladimir Putini sheh pikërisht hallkën e dobët për të goditur më tej rendin europian”.

Kryeministri shqiptar ka dhënë po ashtu këndvështrimin e tij përse e mbështet propozimin e Macronit që në pamundësi të anëtarësimit të vende të Ballkanit Perëndimor propozon një mekanizëm që e emëron si Komuniteti i ri Politik Europian.

“Kam dëgjuar disa të thonë se është një lloj tjetër djathi francez që na serviret si antipastë për të na mohuar pjatën e vërtetë. Që Franca kurrë nuk ka qenë një forcë entuziaste për zgjerimin e këtij Unioni, ky është një sekret gjerësisht publik. Që Emanuel Makronit i duhet të përpëlitet midis shpirtit të tij tejet europian dhe kostumit presidencial të një vendi, ku të gjesh entuziazëm për zgjerimin e Bashkimit Europian është njësoj si të gjesh ujë në shkretëtirën e Arabisë Saudite, edhe ky është një sekret tejet publik. E megjithatë ideja e tij, për të na mbledhur të gjithëve së bashku, në një Komunitet të ri Politik Europian, duket për momentin një recetë shumë më premtuese sesa pjata bosh e zgjerimit pa zgjerim, e cila na është servirur për vite të tëra me radhë”.

Në këto kushte Rama kërkon pranimin nga të gjithë vendet e BE të Open Balkanit si një platformë që mban të bashkuar këtë rajon dhe prapëson çdo rrezik destabiliteti.

“Ju bëj thirrje të gjithëve për ta mbështetur pa asnjë mëdyshje Ballkanin e Hapur, nëse nuk doni që rajoni ynë të shkatërrohet sërish përpara syve tuaj, ndërkohë që hëpërhë nuk mund të ofroni asgjë më të mirë sesa karuzeli i cirkut bullgar. Ballkani i Hapur është artikulimi më i pastër i ndjesisë sonë të përkatësisë në Europë”.

Kujdeset për të shprehur shqetësimin e tij dhe për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

“Shpresoj shumë, po ashtu, që, ndërkohë që pengmarrja e Bullgarisë është ende në veprim, situata e dhimbshme e pengmarrjes së Kosovës të marrë fund dhe popullata e vetme në Europë pa të drejtë të lëvizë lirisht jashtë vendit të vet, të marrë liberalizimin e shumëmerituar të vizave”.

Por nuk harron që të vihen në pozitat e mikut të tij Aleksandër Vuçiçit kur i bëhet presion nga BE dhe ju kujton europianëve rrezikun potencial që ekziston në një vend ku 80 përqind e popullatës është pro-ruse.

“Presioni i ngutshëm mbi Serbinë, ndërkohë që ajo thjesht nuk është në pozitën për të dhënë kaq shumë kaq shpejt, rrezikon të fuqizojë së brendshmi në atë vend forca me të cilat, më e pakta, BE-ja do ta kishte tejet të vështirë të negocionte në mënyrë të arsyeshme”.

Të njëjtat pakënaqësi, Rama i shprehu dhe në një intervistë për Corriere della Sera, ku u shpreh se “të parashikosh lëvizjet e BE-së se kur do të anëtarësohet Shqipëria është si të parashikosh fatkeqësi të mëdha natyrore”.

Tv Klan










Të ngjashme