Kryeministri: Akademia Ushtarake të shndërrohet në Akademi Amerikane

Kryeministri Edi Rama tha se prononcimet në lidhje me shpalljen “non grata” të Sali Berishës e shtojnë politizimin e çështjes, por sipas tij ky fakt tregon se Shqipëria futet në një fazë të re, ku nuk ka më momumente që nuk mund të rrëzohen të së shkuarës.

Flet vetë Sekretari i Shtetit në këtë rast dhe mendoj që çdo prononcim në këtë drejtim do të politizonte edhe më shumë një fakt, i cili nuk ka nevojë për koment, një fakt që është në sytë e gjithë shqiptarëve, jo sot, por prej vitesh e vitesh, një fakt që tregon se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe se nuk ka më asnjë monument të parrëzueshëm të të shkuarës së korrupsionit dhe të pengimit të demokracisë”.

Kryeministri foli edhe për vizitën e tij në West Point, duke zbuluar planet e qeverisë për ta shndërruar Akademinë Ushtarake në Tiranë, një akademi të ngjashme amerikane.

“Dëshira dhe ambicia jonë është që ta transformojmë Akademinë shqiptare të Forcave të Armatosura në një akademi amerikane, ku do të jetë një vend studimesh të larta për studentët shqiptarë, por edhe për studentë nga vendet e NATO-s rreth e rrotull nesh dhe ku gjithë eksperienca, gjithë programet, gjithë dija e shkollës së lartë amerikane të mbrojtjes të jetë në dispozicion të më të rinjve”.

Rama u duk i bindur se votat e opozitës do t’i bashkohen atyre të Partisë Socialiste për ndryshimin e Kushtetutës dhe zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vetingun.

“Unë nuk dua të merrem me akuzat, por dëshiroj që të fokusojmë të gjitha forcat dhe energjitë tona tek punët, që lidhen me përparimin e vendit, që lidhen me përmirësimin e jetës së njerëzve. Dhe kjo është një nga këto punë. Natyrisht që ne nuk i kemi votat për të bërë ndryshimin përkatës, por nga ana tjetër kjo është një reformë, e cila nuk është vetëm e jona, por është një reformë që ka patur qysh ditën e parë mbështetës dhe garantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, dhe unë nuk besoj që opozita do të mungojë në apel, kur do të numërohen votat në funksion të kësaj reforme”.

Rama foli edhe për marrëdhëniet me Kosovën, të cilat i quajti normale, duke pranuar divergjencat lidhur me nismën për Ballkanin e Hapur.

Tv Klan