Në intervistën për rrjetin prestigjoz mediatik amerikan “Bloomberg”, kryeministri Rama e konsideron Presidentin amerikan Donald Trump si të mirë për të gjithë në një kohë që Bashkimi Evropian e ka humbur rrugën për të ndërtuar ndikimin e saj global.

“BE-ja është bërë shumë egoist në një kohë që duhet të mësojë t’u bëjë ballë fuqive të tjera në një kohë të përçarjes globale dhe luftërave tregtare të shkaktuara nga SHBA. Kur Trump thotë se Zoti e shpëtoi për ta bërë Amerikën sërish të madhe, ai tregon vetëm gjysmën e historisë. Trump po e shpëton Evropën e ka zgjuar atë që të marrë masa”, është shprehur Edi Rama.

Bloomberg konfirmon faktin se Rama i ka vendosur tashmë kontaktet me rrethin e brendshëm të presidentit amerikan. Në fillim të këtij viti, Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan dhe këshilltari i tij në mandatin e parë presidencial mori miratimin paraprak nga qeveria shqiptare për të ndërtuar një resort luksoz prej 1.4 miliardë Dollarësh në ish-bazën ushtarake të Sazanit.

Drita jeshile për një nga projektet më të mëdha të planifikuara nga Kushner në Ballkan erdhi disa ditë përpara rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë. Rama mohon aludimet se miratimi i qeverisë së tij për projektin e Jared Kushner ne Sazan ishte një përpjekje për të marrë favore nga presidenti amerikan.

“Kushner e vizitoi Sazanin për herë të parë në vitin 2021 së bashku me gruan e tij, Ivanka dhe ambasadorin Grenell. Në atë kohë, propozimi i Kushner nuk ishte diçka që do të na jepte pikë politike në Uashington. Kishte të tjerë në pushtet dhe nuk ishte aspak e qartë se Trump mund të fitonte sërish zgjedhjet presidenciale”, ka shtuar më tej kryeministri.

Autoritetet shqiptare janë ende në procesin e negocimit me ekipin e Kushnerit dhe marrëveshja nuk është finalizuar.

“Nuk është se ne e kemi falur ishullin, ky investim është një partneritet mes nesh. Investimi në Sazan mund të jetë më i shpejtë, mund të jetë më i ngadalshëm, por të dyja palët duhet që të bien dakord. Investitoret kanë mbështetjen tonë të plotë. Jam i privilegjuar të flas me Kushnerin, nuk e di nëse ai më quan mik, por unë e quaj mik”, përmbylli Rama.

Bloomberg thekson se Shqipëria gjendet perpara zgjedhjeve parlamentare, por nuk ka një sondazh të besueshëm publik për rezultatin e 11 Majit.

Klan News