RaamaPër 120 minuta Kryeministri Edi Rama ka folur me gazetarët në të fundit konferencë për këtë vit, duke e nisur me falenderime e duke mos përjashtuar këtu as opozitën.

Kësaj të fundit Kryeministri i njohu meritën për shkarkimin nga administrata të disa personave që kishin probleme me ligjin, një vendim i ardhur pas denoncimeve të demokratëve.

Për herë të parë Kryeministri deklaroi se mazhoranca e votoi për në Këshillin Mbikqyres kandidaturën e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës për Guvernator për të mos krijuar një ngërç institucional dhe duke lënë të kuptohet se vota e shumicës parlamentare do të jetë pro Gent Sejkos edhe për postin e Guvernatorit.

Lidhur me përzgjedhjen e kandidaturës për kreun e ri të Bashkisë së Tiranës, Kryeministri tha se mazhoranca nuk ka vendosur ende, por pranoi se të gjithë kandidatët do të përzgjidhen së bashku me kryetarin e LSI –së, Ilir Metën.

Kreu i qeverise lajmëroi se nga janari do të bëhet publik edhe një skandal lidhur me sigurimet shoqërore. Janë plot 1000 institucione shteterore, por dhe me mijra private të cilat nuk kanë deklaruar sigurimet e punonjësve të tyre për vite me rradhë duke krijuar një borxh të akumuluar prej 100 milionë dollarësh.

Për çdo njërin nga sektorët Kryeministri u ndal për të shpjeguar ç’ka u bë dhe ç’ka do kishte dashur të bënte më shumë gjatë 2014, por prioritet i dha sektorit energjitik për të cilin tha se është një hallkë nga ecuria e të cilit varet ekonomina e vendit.

Edhe pse tha se jo domosdoshmërisht nuk është lajm i mirë për ekonominë, Kryeministri deklaroi se këtë vit ka pasur ulje të çmimeve për ushqimet e shportës dhe për këtë ndau me gazetarët të dhëna të marra nga eksperienca familjare.

Tv Klan