Edi Rama kërkon votën për mandatin e 3 të Partisë Socialiste që Reforma në Drejtësi të mos bllokohet, e që arrestime si ai i gjyqtares së Krujës, që ai e cilëson si mostër, të mos jenë raste të izoluara.

Për të treguar se kundërshtarët e tij nuk duan që radhët e drejtësisë të pastrohen nga të korruptuarit, ai sjell deklaratat e kreut të shtetit, ish-partinë e të cilit kryeministri e akuzon se po përfshin shumë prej të përjashtuarve nga vettingu në drejtësi në listat e zgjedhjeve.

Ndërsa komenton dhe rastin e mjekut Edvin Prifti, Rama zbulon se dhe drejtoria e spitalit kishte një denoncim për të.

Presidentit i kthehet dhe nuk i kursen dhe etiketimet kur i referohet bllokimit të fondit saudit për projekte të infrastrukturës në Vlorë. Po të njëjtin etiketim përdor me bashkëshorten e kreut të shtetit.

Rama dhe Veliaj, në bashkëbisedim me banorë të kryeqytetit, u ndalën shumë dhe tek projektet e rindërtimit, të cilat pranojnë se kanë vonesat e tyre, por jo për shkak të mungesës së vullnetit, por kohës që kërkon çdo punë kaq voluminoze.

Pasi postoi projektin e transformimit të portit të Durrësit, Rama shpjegoi sesi do të rriten mundësitë për këtë qytet, si për investime të tjera të mëdha, ashtu dhe për vlerën që do të marrin pronat e banorëve të saj.

Tv Klan