Rama: “Negociatat” brenda vitit e vështirë, por jo e pamundur



Rama: “Negociatat” brenda vitit e vështirë, por jo e pamundur

11:15 11/05/2021

“Shqiptarët fanatike të perëndimit dhe bashkimit europian”

Edhe pse i zhgënjyer nga qasja e deritanishme e BE ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t’u mirëpritur në gjirin e saj, Edi Rama i rrëfen gazetares se Euronews-it në një intervistë të dhënë në Firence fundjavën e shkuar, se e sheh të vështirë por jo të pamundur mbajtjen brenda këtij viti të konferencës ndërqeveritare për çeljen e negociatave.

“Është shumë e vështirë ta thuash, shumë e vështirë sepse këtë hap duhej ta ndërmerrnim disa vjet më parë dhe përsëri e përsëri. Por nuk ndodhi… për shkak të dinamikës së brendshme në Këshillin Evropian dhe… shpresojmë se ky do të jetë rasti. Po nuk është e lehtë.”

Çfarë jeni përgatitur të bëni nëse bisedimet ngecin sërish?

“Ne nuk planifikojmë asgjë tjetër përveçse të vazhdojmë të punojmë, sepse për ne Evropa nuk është një objektiv apo destinacion politik, Evropa është një fe! E askush nuk mund ta tradhtojë këtë fe në Shqipëri, për shkak të faktit të thjeshtë se Evropa është një amanet dhe është në të njëjtën kohë një detyrim ndaj fëmijëve tanë. Kjo është arsyeja se përse ne do të punojmë gjithnjë e më fort, më fort, më fort, për ta bërë Shqipërinë një shtet evropian që funksionon plotësisht.”

Përsërit se pavarësisht interesit të fuqive jashtë BE dhe SHBA për ndikim në rajonin tonë, Shqipëria nuk rrezikon.

“Duke mos qenë plotësisht i integruar në Bashkimin Evropian, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë gri që i ofron tërheqje dhe shanse aktorëve të tjerë… aktorë të tretë që nuk kanë të njëjtën qasje beninje dhe të njëjtat vlera dhe parime që Bashkimi Evropian ofron. Sa për Shqipërinë, nuk shoh ndonjë rrezik të afërt sepse shqiptarët janë shumë fanatikë për perëndimin dhe për Bashkimin Evropian”.

Nuk e mohon por as e pohon se Reforma  në Drejtësi e nisur nga maxhoranca e tij, kishte ndikimin e saj për marrjen e mandatit të 3 qeverisës.

“Unë mendoj se njerëzit në Shqipëri kanë ndjesinë e qartë se puna nuk ka mbaruar. Mandati i tretë është një mandat i qartë për të mbaruar punën, jo shpërblimi për një punë të përfunduar.”

I pyetur për dokumentin jozyrtar që qarkullon për rishkrimin e kufijve të Ballkanit, e vlerëson si ide qesharake që vjen nga frustrimi që mbizotëron në këtë rajon. E që Rama e sheh si ndikim që vjen nga mbajtja në Ballkan e status quo-së,  në vend se të ketë një qasje me të hapur që për të është krijimi i zonës Shengen funksionale.

Tv Klan







Të ngjashme