Debati politik i vendit tonë është eksportuar në Itali, në studion e emisionit “Porta a Porta”. Kryeministri Rama i ftuar nga gazetari Bruno Vespa përpiqet të tregojë anën tjetër të medaljes që sipas tij është shumë e ndryshme nga imazhet që transmetohen në ekranet e televizioneve për protestat e opozitës. Rama ju drejtohet kryesisht turistëve dhe investitorëve italianë, se në vend ka siguri.

“Dua të them që, duke parë ekranin, imazhet janë mjaft të forta, por ata që erdhën këtë vit si edhe ata do të prenotojnë po këtë vit, objektivi ynë është të arrijmë në mbi gjysmë milion italianë këtë vit. Duhet të kuptojnë që gjithë kjo gjë zhvillohet në një rreze prej një kilometër në maksimum, dhe më larg se kaq vazhdon jeta normale, për sipërmarrësit, për njerëzit, për turistët, për të gjithëndërsa për kriminalitetin ne jemi në mesataren europiane”.

Por i intervistuar në Tiranë nga gazetarët e “Porta a Porta”, situata që sjell për Shqipërinë kryetari i opozitës Lulzim Basha është krejt ndryshe nga ajo për të cilën flet Kryeministri.

“Shqipëria ka dy probleme të rënda, një me demokracinë dhe një me kriminalitetin. Pesë vite më parë, Shqipëria u bë prodhuesi dhe eksportuesi numër një i kanabisit. Dhe me milionat e fituara nga trafiqet e drogave u blenë zgjedhjet, u blenë policët, drejtësia, media, pjesë të mëdha të ekonomisë private dhe të aktivitetit ekonomik publik. Dy muaj më parë, media ndërkombëtare publikoi përgjimet zyrtare të drejtësisë shqiptare, ku funksionarë të lartë të Partisë Socialiste, janë përgjuar në bashkëpunim me krerë mafiozë për të blerë vota dhe për të frikësuar opozitën në zgjedhjet e kaluara”.

Edhe pse thotë se në gjuhë të huaj nuk flet kurrë për kundërshtarët politik Edi Rama i përgjigjet Bashës duke i kujtuar raportin e ‘Guarda Di Finanza’ për situatën e kanabisit.

“Unë sigurisht jam i anshëm, pra nëse them diçka, ajo është e njëanshme. Por, këtu jemi në një vend ku ka dy detaje të rëndësishme për të folur për të vërtetën. “Guardia di Finanza” që është një agjenci e madhe, me integritet të padiskutueshëm. Faktet tregojnë një realitet krejtësisht të ndryshëm, pra në vitin 2013 kur ne erdhëm në qeveri, ishin rreth 400 hektarë me plantacione ndërsa në vitin 2018, 0,8 hektarë. Pra gati asgjë”.

I ftuar përballë Ramës ishte dhe Igli Tare, i cili ashtu si Sajmir Pirgu mendon se imazhi i vendit po dëmtohet nga protestat e opozitës.

“Duhet të jemi shumë të përgjegjshëm sepse jemi një komb që ka vuajtur shumë. Populli jonë meriton vërtetë diçka të mirë, jemi pro Europës, jemi një vend në rritje me një zhvillim të mirë dhe problemet duhet t’i zgjidhim në shtëpinë tonë por me përgjegjësi të madhe”.

Një sipërmarrës italian që zhvillon biznesin e tij në Shqipëri, i rrëfen Bruno Vespës se zhvillimet politike në vend nuk ndikojnë aspak në ecurinë e biznesit të tij.

“Si një sipërmarrës i angazhuar në Shqipëri, nuk e ndjej të ndaloj sipërmarrës të tjerë që kanë interes apo kuriozitet, por i ftoj të vazhdojnë të investojnë në Shqipëri, sepse Shqipëria është një vend me rritje të fortë ekonomike në sektorë të ndryshëm. Pra, mjafton të kesh shumë besim dhe t’i besosh projektit të Shqipërisë”.

Vetë Rama nuk përjashton mundësinë se destabilitetin në vendin tonë e nxisin dhe shtete që nuk e duan të ardhmen e saj europiane.

“Unë nuk dua të hamendësoj për gjëra për të cilat nuk kemi fakte. Është e qartë, jo të gjithë e duan Shqipërinë në Europë dhe nuk është një sekret që Rusia nuk e pëlqen Europën e madhe. Dhe kur janë të tilla situata, ata me kënaqësi mund të japin një dorë dhe kjo gjë nuk do të ishte aspak një surprizë”.

Të njëjtën deklaratë përsërit dhe në një intervistë të dhënë për të përditshmen “La Repubblica” ku si arsye për protestat e opozitës rendit frikën nga reforma në drejtësi dhe humbjen në zgjedhjet lokale.

Tv Klan