“E lodhshme të qëndrosh në dhomën e pritjes

Kryeministri Edi Rama e ka krahasuar rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Europian, me vitet që u deshën për të pushtuar Trojën. Në ndërhyrjen që pati gjatë një konference të organizuar nga  ‘The Economist’, në bashkëpunim me qeverinë greke, Rama foli për forcimin e bashkëpunimit dhe solidaritetit.

“U deshën disa vite për të pushtuar Trojën. Në të njëjtën mënyrë po përparon edhe përvoja e vendeve të Ballkanit në radhët e BE. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po presin ende për Godonë”.

Pavarësisht se Tirana dhe Shkupi nuk morën përgjigjen pozitive nga vendet e Bashkimit Evropian për negociatat, Rama u shpreh i vendosur se nuk ka rrugë tjetër veç BE-së.

“Ballkani ka qenë në procesin e integrimit për shumë vite dhe ne do të bëjmë gjithçka për të qenë anëtare i Evropës. Nuk kemi alternativë tjetër dhe nuk duam të kërkojmë për alternativë tjetër. Por është shumë e lodhshme të qëndrosh në dhomën e pritjes. Ne duhet të vazhdojmë përpjekjen, sepse ajo që na siguron procesi i integrimit është një mjet unik i modernizimit. Ky modernizim ka të bëjë me ndërtimin e shteteve në këtë rajon që funksionojnë si demokraci, që kanë institucione që shkojnë përtej partive, qeverive dhe marrëdhënieve midis qytetarëve dhe shteteve që janë të sigurta dhe të qëndrueshme.”

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria i ka përmbushur detyrat dhe këtë nuk e ka bërë për të tjerët, por për veten. 

Tv Klan