Kryedemokrati Sali Berisha thotë se nëse PD-ja do të vijë në pushtet, do të luftojë krimin dhe korrupsionin me 0 tolerancë. Gjatë fjalës së tij në një konferencë me gazetarët kreu i demokratëve, ka akuzuar Kryeministri Rama se përdor Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sali Berisha: Ato janë anketime të bëra të gjitha nën diktat dhe për manipulim dhe nuk kanë asnjë vlerë. Por unë të garantoj se Sali Berisha nuk ka ndërmend asgjë tjetër vetëm luftën me zero tolerancë kundër krimit dhe korrupsionit. Garantoj çdo shqiptar! Por unë paraqita sot në mëngjes dokumente të tjera, që krimineli me kollare, me veturë ministrore, me zyrë ministrorë, qarkullon në mbledhje të qeverisë, ka kryer krime të shëmtuara dhe mbrohet nga Skapi.

Unë kam dhënë disa shembuj dhe jap shembuj. Dallimi është ky, Edi Rama përdor Skapin, unë nuk e kam përdorur dhe nuk do e përdor kurrë drejtësinë. Drejtësia do jetë nën ligj dhe e pavarur. E varur nga ligji. Unë nuk mund të pranoj kurrë prokurorë apo gjykatës apo nëpunës apo deputetë apo ministër një njeri që ka kryer krim, një njeri që fle mbi krimin, një njeri që fsheh krimin. Nuk është punë Skapi këtu.

E kam deklaruar dhe e deklaroj se çdo njeri i ndershëm që zbaton ligjin, a do quhet Spak apo do quhet… ne e kemi quajtur Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ne me këtë jo nuk do të dobësojmë, por përkundrazi do forcojmë dhe do adoptojmë zero tolerancë në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. A, në qoftë se dikush do të mbrojë monstrat e Xhorxh Sorosit, në Shqipëri, kjo ka marrë fund.

Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve ka akuzuar kreun e SPAK, Altin Dumanin pasi sipas tij ka mbyllur dosjet e krimit të madh elektoral ku përfshihen Kryeministri Edi Rama dhe të tjerë.

Sali Berisha: Unë nuk mund as të mashtrohem, as të ekzaltohem me akte teatrale. Unë di që dosjet e krimit të madh elektoral, që përfshihen nga Edi Rama e poshtë, i mbyll Altin Dumani. Kjo është ajo që unë di dhe është e faktuar. Unë di që 50 për qind e të gjithë veprimtarisë së bandave sipas regjistrimeve telefonike dhe mesazheve, është elektoral. Dhe këto i di shumë mirë Altin Dumani që nuk ndërmerr asnjë akt për to.

Të besosh se ai që fle mbi këtë krim monstruoz, ka vullnet, ai nuk ka asnjë vullnet, ai është një ushtar mjeran, fanatik i partisë, një ushtar i Arben Rakipit dhe Ulsi Manjës e Ymer Lalës. Ai nuk është asgjë tjetër. Ai ka bllokuar hetimin e krimit elektoral dhe për këtë në mënyrë absolute do bëhet përgjegjës para ligjit. Le t’i thërrasë Edi Rama sa të dojë, Altin kështu, Altin ashtu, por unë i them se Altin, do përballesh me ligjin për qëndrimin tënd ndaj krimit elektoral që është një qëndrim antikushtetues, antiligjor.

/tvklan.al