Rezoluta për “Kushtetuesen” merr 97 vota

Shumica dhe opozita bashkuan 97 vota për të miratuar rezolutën e dytë brenda 6 muajve kundër dekreteve të Presidentit të Republikës.

Rezoluta për shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese, i bën thirrje Gjykatës, që pa krijuar pengesa, të mundësojnë fillimin e ushtrimit të detyrës për 3 anëtaret më të reja të saj; Arta Vorpsin, Elsa Toskën e Fiona Papajorgjin, duke mos njohur Marsida Xhaferllarin, që u dekretua nga Presidenti dhe u betua para tij.

Po ashtu, i bëhet thirrje kreut të shtetit të reflektojë dhe të mos marrë asnjë veprim tjetër në shkelje të Kushtetutës, si dhe Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit, që t’i përfshijë edhe këto zhvillime në punën e tij.

Kryeministri Rama e vlerësoi të panevojshme të merrej me Ilir Metën në fjalimin e tij përpara Parlamentit. Ai tha se shumica nuk ka asnjë përplasje me kreun e shtetit, pasi në vlerësimet e tij, Meta përplasjet i ka me drejtësinë.

“Përplasja nuk është mes nesh dhe Ilir Metës, por mes Ilir Metës dhe drejtësisë. Pas kësaj nuk ka as nevojë të zgjatemi për të shpjeguar arsyen që na sjellin këtu dhe drejtësinë e vendimmarrjeve tona. Prandaj këtë herë unë nuk do merrem me Ilir Metën, por me drejtësinë. Me drejtësinë që është ende në ardhje. Asnjë Kushtetutë në asnjë vend demokratik nuk mund të parashikojë se një vendi mund t’i bjerë taksirati të ketë një President si ilir Meta. Dhe për këtë arsye ky Kuvend duhet të marrë marrë masa ligjore kushtetuese për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti flagrant bllokimi të atij që zyrën e Presidentit e ka kthyer në një frëngji për të shantazhuar Parlamentin, për të shantazhuar ndërkombëtarët, popullin shqiptar. Dhe besoj se Komisioni Ad-Hoc i ngritur për shkarkimin e Ilir Metës duhet ta konsiderojë shumë seriozisht, edhe paketën e rekomandimeve për Kuvendin, ashtu sikundër Komisioni i Ligjeve dhe gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të riardhur në Kuvend më shpejt se vonë dhe për të votuar neutralizimin e akteve të Presidentit. Kush është ky President? Na ka rënë ky taksirat dhe do bashkëjetojmë me këtë taksirat për aq kohë sa zyra  e Presidentit të Republikës do jetë ‘tokë e xanun’ nga dikush që ka humbur busullën. Reagimet tona janë të gjitha të koordinuara me të gjithë ata që kemi bërë Reformën në Drejtësi”.

Sipas Ramës, askush nuk mund të interpretojë Kushtetutën dhe kompetencat që i jep ajo organeve të reja, siç është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Dhe rastin e të ngjashmëve të Ilir Metës, që sipas tij e lexon librin themeltar të shtetit siç do vetë, e gjen në Afganistan.

E quan të turpshëm sulmin e Presidentit për ndërkombetarët. Përsërit disa herë se çdo veprim i ndërmarrë në këtë proces për përzgjedhjen e anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese, është ndërmarrë në rakordim të plotë me BE dhe SHBA.

Për të mos lënë më vend për situata të tilla që po përsëriten gjatë zbatimit të Reformës në Drejtësi, shumica po planifikon ndryshime të reja kushtetuese dhe ligjore.

Paralelisht me këtë nismë, Rama lajmëroi se brenda 25 Nëntorit do të sjellë në Parlament dhe ligjin që lufton ata që i cilëson si banda e KÇK-së, prokurorët dhe gjyqtarët që e përdorin periudhën tranzitore deri në dalje përpara komisioneve të Vettingut për t’u pasuruar përmes bashkëpunimit me bandat kriminale, si dhe për të goditur krimin e organizuar.

“Sot ajo që duhet të ishte drejtësi, është rëndom padrejtësi si rezultat i një numri të konsiderueshëm gjykatësish dhe prokurorësh që i përkasin organizatës kriminale KÇK. Beteja jonë sot nuk është me Ilir Metën, beteja jonë sot është me KÇK. Ata që janë akuzuar për krim të organizuar dhe që nuk janë dënuar si rezultat i atyre prokurorëve edhe atyre gjykatësve që e kthyen drejtësinë në një pazar ku kriminelët ishin të parët që jepnin ofertën. Më 25 Nëntor unë do t’i prezantoj publikut shqiptar një platformë, kjo do të jetë sfida e vërtetë”.

Tv Klan