Partia Demokratike i është përgjigjur me refuzim përsëritjes së ftesës së bërë nga Kryeministri Edi Rama për një bashkëpunim.

Në një deklaratë për mediat, PD thotë se Rama është autori i masakrës elektorale që ka tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve. Më tej në deklaratën e PD theksohet se ftesa e Ramës është diversion, por beteja e tyre nuk do të ndalet.

“Edi Rama është autori i masakrës elektorale dhe tjetërsimit të vullnetit të shqiptarëve për ndryshim. Me qëllim që të largojë vëmendjen ai vazhdon gënjeshtrat, manipulimet dhe diversionet. Vjedhja e zgjedhjeve nga Rama-Doshi-Rakipi e çuan vendin tonë drejt një masakre masive elektorale, ku viktimat janë qytetarët shqiptarë dhe e ardhmja e tyre.

Detyra jonë ndaj shqiptarëve është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend. Asnjë diversion nuk do të na ndalë në këtë betejë, duke filluar me shpalosjen e fakteve, provave dhe të dhënave që dëshmojnë përmasën e plotë të masakrës zgjedhore nga regjimi Rama-Doshi-Rakipi“, është kjo deklarata e PD.

Më herët Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi që zhvilloi me deputetët e Partisë Socialiste tha se ftesa për PD është e sinqertë dhe dora e bashkëpunimit me ta do të mbetet e shtrirë gjithmonë./tvklan.al