“Goditjet e SPAK nuk janë elektorale”

Kryeministri Edi Rama u ndal tek korrupsioni gjatë një bashkëbisedimi që pati me qytetarët e Fierit. Kreu i qeverisë u shpreh se Reforma në Drejtësi është duke dhënë rezultatet e saj. Ai u shpreh se drejtësia e re nuk është më një iluzion, por theksoi se nuk është qeveria që e jep atë. Sipas tij, përshpejtimet e sforcuara në Reformën në Drejtësi apo urdhrat që vijnë nga lart, nuk japin drejtësi, por iluzion të drejtësisë. Rama u shpreh se qeveria bën maksimumin duke u dhënë institucioneve mekanizmat e duhura për të bërë drejtësi.

“Sot është më shumë se kurrë që shqiptari që duhet të ketë besim që drejtësia nuk është iluzion, por mundësi që po krijohet. Nuk bëhet drejtësia pse nuk e fute këtë ose atë në burg o kryeministër. Larg qoftë nëse do të ishte në dorën time dhe Gramozit se mund ta kishim bërë këtë si tipa që jemi. E vërteta është që nuk do të kishim zgjidhur problemin. Mund të kishim dhënë idenë që do ishte triumf, por i përkohshëm. Ideja është që të krijojmë triumfin e drejtësisë në sistem. Ka akoma llum në sistemin e drejtësisë, sot me siguri ka ndodhur ndonjë krim në gjykatë se janë njerëz që thonë unë e di që nuk kaloj vettingun dhe kap ça të kapësh. Një gjykatëse tipike përfaqësuese e këtij llumi është para hekurave pikërisht për atë qasje që u ka nxitur jetën njerëzve. Është dhënë mesazhi nga institucionet që këtu ka një limit dhe pandëshkueshmëria është vënë në diskutim. Është shumë e pështirë të shikoje Tiren dhe të tjerët, por janë prapa hekurave. Tirja është fenomen i pandemisë së korrupsionit në 30 vjet. Është prapa hekurave. Ashtu si kundër dhe ai liberali i djathtë që thotë se; “Më kanë futur në burg se jam i djathtë”. Bashkë me disa analistë që predikojnë se “këto goditje kanë qenë elektorale”. Se ça lidhje kanë këto me elektoralen, ca lidhje kemi ne me këto?! Vetëm këta e dinë. Procesi po ecën me një ritëm që nuk duan shqiptarët sepse u ka ardhur në majë të hundës, por përshpejtimet e sforcuara apo urdhrat nga lart nuk janë drejtësi, por iluzion i drejtësisë. Në burg nuk të fut partia, por drejtësia. Çfarë bëjmë ne? Ç’është e mundur që t’u japim institucioneve mekanizma që të bëjë drejtësi, por jo të bëjmë ne drejtësi. Është shumë e bukur ta thuash, por e vështirë ta bësh”.

Një tjetër aspekt të largimit të korrupsionit, Rama e lidh me dixhitalizimin. Sipas tij heqja e e kontaktit të qytetarit me marrjen e shërbimit ul korrupsionin.  

“Lufta kundër korrupsionit është shtetndërtim. Qoftë në aspektin e krijimit të sistemit që nuk le hapësirë për korrupsion, qoftë në aspektin e drejtësisë. Nëse në Gjermani është e paimagjinueshme që një punonjës të të kërkojë lekë kjo vjen si pasojë e sistemit që e bën të pamundur të kërkojë lekë. Nëse 30 shqiptarë do të shkojnë në sistemin gjerman, as nuk do i shkonte mendja të kërkonte lekë se nuk do i linte sistemi. Nëse do merrnim 30 gjermanë dhe do i vinim në sistemet tona herët a vonë do të korruptoheshin, është sistemi që i korrupton. Kemi mundësinë të bëjmë hapa përpara për shkak të digjitalizimit. Në shërbimet që lidhen me njeriun ti nuk mund ta heqësh njeriun dhe ta bësh kompjuter kur është fjala për një infermiere, apo një mësues, apo ta heqësh njeriun e ta bësh kompjuter kur vjen puna tek dokumentet që shteti jep. Heqja e kontaktit dhe vendosja e shtetit në pasqyrën e kompjuterit bën një ulje drastike. Besoj që nëse shohim shifrat, shifrat sot flasin që është shumë më ndryshe seç ishte. Po të shohësh sa shërbime janë dhënë në e-Albania, janë miliona shërbime. Janë dyfish milionë ecejake që do bëheshin nëse nuk do kishte shërbim online. Është proces që vazhdon dhe jam i bindur siç është përparuar me mësuesit, do të përparohet edhe me mjekët, infermierët dhe me shërbimet”, tha Rama./tvklan.al