Paralelisht me procesin e dixhitalizimit të gjithë pronave të regjistruara në Kadastër, që qeveria thotë se do të përfundojë në 2028, për të gjitha tokat e punuara në fshat që nuk rezultojnë të regjistruara po punohet për një zgjidhje afatshkurtër që Kryeministri e prezantoi në takimin me fermerët e Cërrikut.

“Siç kemi bërë me paketën e maleve ju e keni një tokë, që siç thatë e keni me certifikatën e përdorimit, keni NIPT si bujk, si fermer, por nuk e keni në hipotekë dhe ndërkohë toka juaj prodhon në mënyrë të vazhdueshme, jemi duke punuar që të njëjtën gjë të bëjmë edhe për këtë pjesë, duke kërkuar përsëri që Këshilli Bashkiak të marrë përsipër të japë dëshminë që kjo tokë është një tokë që punohet dhe këtë gjë e verifikon lehtësisht edhe Ministria e Bujqësisë me strukturat e saj dhe që kjo tokë i përket filanit, pra nuk ka konflikte”.

Pensionistëve të fshatit, Rama ju premton se do të rishikohen pensionet por jo me logjikën e atyre që premtojnë sikur të ishin shitësa të tapeteve fluturues.

“Të rrisim pensionet mesatare për ata që kanë paguar sigurime dhe pensionin minimal të synojmë pension minimal 200 Euro dhe kjo varet nga rritja ekonomike. Ka ca që shesin qylyma fluturues. Thonë një rrugë më pak dhe jepja pensionistëve. Domethënë është si t’ju thuash juve një mbjellje më pak dhe ha dhe pi si mbret. Kjo është një dardhë që ka një bisht të madh mbrapa. Mbetemi të gjithë me dy gishta në gojë”.

Sipas Kryeministrit, me anëtarësimin europian, përfitimi direkt financiar është mëse i qartë tek bujqësia.

Rama ju kërkon fermerëve të synojnë bashkimin për të përfituar më shumë dhe të rrisin cilësinë për të synuar tregjet e mëdha europiane.

Mbështetja e qeverisë së tij, Rama siguron se do të fokusohet në kulturat që janë konkurruese dhe kuptimplota për eksportuesit siç është ulliri dhe vaji i ullirit.

Në Cërrik, ai inspektoi punimet për ndërtimin e unazës bujqësore Muriqan-Fermë, që lidh tre bashki; Cërrikun, Belshin dhe Elbasanin.

Tv Klan