Në planin personal i ka realizuar të gjitha. Populli i ka dhënë çdo nder që mund të ketë një person që votohet. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama këtë të diel. Gjatë një takimi me socialistët e rinj në Tiranë, Rama u shpreh se pushtetin e do për Shqipërinë dhe për të ecur përpara në rrugën e projekteve që janë nisur.

Kreu i qeverisë u shpreh se opozita e konsideron Shqipërinë plaçkë kur ka pushtetin.

“Unë kam hyrë në këtë rrugë sepse nuk doja më që fatin tim, të familjes sime, të vendit tim, t’ua delegoja të tjerëve. I them shqiptarëve mos ndaloni, mos ktheni rrugën, mos u lodhni dhe mos u dorëzoni sepse ngjitja drejt majës është e vështirë, sa më lart ngjitesh aq më shumë tundimi për t’u ndalur, tundimi për të bërë pushim bëhet më i fortë. Por kjo botë është e atyre që nuk ndalen, që nuk pushojnë, që kokëfortësisht vazhdojnë të ngjiten, kjo botë është e tyre që kur rrëzohen dhe mund të ringjiten.

Populli na ka lënë një porosi dem baba dem, rruga më e shkurtër të nxjerr më gjatë. I ranë shkurt kur shkuan pas Sudes dhe doli gjatë. I ranë shqiptarët shumë shkurt dhe më pas dhe përsëri iu doli gjatë. Kjo rrugë është e gjatë, por ama është rruga që na çon në majë. Nuk jam këtu për veten time, nga maja nga ku flas. Nëse do të ishte në aspekt personal i kam realizuar të gjitha. I kam prekur të gjitha majat që mund të prekur dikush me politikë dhe i kam pasur të gjitha nderet që mund të ketë dikush që votohet nga popullit i tij dhe nëse do të ishte një bilanc personal do të ishte shumë e lehtë për mua. Por ka një dallim shumë të madh, ne, unë, Erjoni, ju të gjithë, e duam pushtetin për Shqipërinë, ata e duan Shqipërinë për pushtetin. Për ta Shqipëria është vendi i të gjitha të zezave kur nuk kanë pushtetin. Kur kanë pushtetin Shqipëria është plaçkë dhe njerëzit mish për top”, tha Rama. /tvklan.al