Kryeministri Edi Rama ka reaguar për thirrjen që ish – Kryeministri, Sali Berisha bëri në parlament, ku i kërkoi shqiptarëve të armatosen për të mbrojtur jetën dhe pronën nga kriminaliteti i veshur me pushtet.

Rama nuk bëri asnjë kërkesë në adresë të prokurorisë, për të hetuar për thirrjen e paraardhësit të tij, pasi sipas tij, vendi mbetet simbol i pandëshkueshmërisë.

Më shumë se thirrjet e Berishës, Kryeministri Rama sheh si shqetësuese arsyen e saj, që ai e sheh të lidhur me Reformën në Drejtësi.

Edhe qëndrimin e opozitës dhe akuzat e saj për lidhjet e krimit të organizuar me Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm, e sheh si pjesë e planit të saj për të penguar miratimin e Reformës në Drejtësi, e cila po kërkohet me ngulm nga qytetarët dhe ndërkombëtarët.

Por pavarësisht shqetësimit që shfaq, Kryeministri shpreh dhe siguri se Reforma që do t’i hap rrugën integrimit europian do të miratohet pavarësisht kostove që mund të ketë.

Elja Zotka/Tv Klan