Nga Fieri kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në planin elektoral të PS parashikohet një pagë minimale prej 40 mijë lekësh pa u taksuar. Rama renditi si projekte për mandatin e 3-të disa porte, aeroporte, universiteti teknik i Stambollit dhe akademia ushtarake me SHBA.

“Është e rëndësishme që të shtojmë përpjekjet që t’i japim arsimit tonë të lartë cilësi, që universitetet të fitojnë në cilësi. Universiteti me reformën tonë ka marrë autonomi të madhe, por shfrytëzon nga njëra anë lirinë, por nuk shfrytëzon përgjegjësinë. Tjetra është që ambicia jonë është që në mandatin e tretë të shtyjmë shumë për të sjellë këtu universitete që janë me nam, që janë universitete me reputacion në vende të mëdha. Hapi i parë është ardhja e universitetit teknologjik të Stambollit, ku ne kemi pasur për 6 vjet eksperiencën e bukur të studentëve shqiptarë që kanë dalë me rezultate të shkëlqyera. Kjo do u japë mundësi shumë më tepër studentëve shqiptarë që të shkojnë në një universitet ndërkombëtar, por të mos ikin nga shtëpia. Nga ana tjetër është një universitet që funksion perfekt për tregun. Që nga teknologjia e lartë që nga spektri i teknologjive të ndryshme duke krijuar një prurje ekspertësh për shumë aspekte të tregut që ka nevojë të madhe. Uroj dhe besoj që do të kemi universitete të tjera që do të sjellim. Nga njëra anë duke hapur degë të veçanta përfshirë brenda universiteteve tona. Një tjetër projekt që po punojmë me SHBA është akademia ushtarake. Transformimi i saj në një akademi amerikane me profesorë me kurrikula nga SHBA. Kuptohet miks edhe me profesorë shqiptarë”, tha Rama.

Rama iu kundërpërgjigj deklaratave të presidentit Ilir Meta, se me vaksinimin e personaliteteve mbi moshën 80 vjeç po bëhet ndarje klasore e shoqërisë.

“Fillojmë ditën e diel vaksinimin e moshës 80 e lart. Duhet të shtoj se është bërë një bolori e madhe. Unë thashë se do ta fillojmë vaksinimin me disa personalitete që i kanë dhënë shumë vendit tonë dhe që nuk duhet t’i kujtojmë vetëm me lajmin e hidhur që u ndanë nga jeta, por sot që kemi mundësi të kujdesemi për ta duke filluar vaksinimin për moshën 80+. Flas për personalitete 80+. Nuk flas për personalitete hajde të marr Bujar Nishanin dhe ta vaksinoj. Këtu çfarë nuk u tha. Një filozof që shfaqet shpesh thoshte genocid. Presidenti thoshte ndarje klasore, diktaturë. Ilir Meta e ka thënë që të sqarohemi. Është diktaturë që një 80-vjeçare si Tinka Kurti ta vaksinosh kur fillon vaksinimin e të moshuarve? Vaksinimi i tyre është edhe një ndihmë që i jepet fushatës së vaksinimit për të kaluar fushatën që duhet vaksinuar sepse duhet në një kohë ku ka lloj sharlatanësh që flasin për çipa që do të futen nëpërmjet vaksinës për të dëgjuar këta nëpër kafene dhe tallen e qeshin dhe kështu Bill Gates do të mbledhë thashethemet e tyre në arkiva në ujë për të bërë çfarë?”

Rama ka deklaruar se në spitalin e ri të Fierit 50 persona do jenë personel turk dhe 320 shqiptarë që do përzgjidhen nga turqit.

Klan News