Prangosja e 11 anëtarëve të bandës së “Bajrave” për kryeministrin Rama është dëshmi e forcës dhe vendosmërisë së policisë së shtetit në luftën kundër krimit. Përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i qeverisë foli për përshkallëzim të operacionit “Forca e ligjit”.

Edi Rama:

Policia e Shtetit foli përsëri me forcën e vendosmërisë në luftën kundër krimit. Forca e Ligjit prangosi rrjetin kriminal të Shkodrës pas një pune policore disamujore të shtrirë edhe jashtë vendit. Respekt dhe për vendosmërinë e Prokurorisë. Forca e Ligjit po përshkallëzohet.

Por ndryshe nga kreu i qeverisë,  ish-kryeministri Berisha falenderoi autoritetet ligjzbatuese të Mbretërive të Holandës dhe Belgjikës, të cilat i ftoi të hetojnë dhe të bëjnë publike lidhjen e ngushtë të drejtuesve të kësaj bande me kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm.

Sali Berisha:

Le t’u bëjmë thirrje autoriteteve të këtyre vendeve të hetojnë dhe bëjnë publike lidhjen e ngushtë të drejtuesve të kësaj bande, komunikimet direkte të tyre (tabulatet) me kreun e meduzës, Edvin Kristaq Rama, Ditmir Sulejman Bushatin, Luan Harushen, drejtues kryesor të policisë, prokurorisë dhe gjykatave në Shkoder dhe Tiranë, udhëheqës dhe protektorë të bandës së Bajrajve, krimit shqiptar dhe ndërkombëtar.

Por këto akuza të opozitës janë hedhur poshtë nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Ditmir Bushati:

Sot është një ditë e mirë për Shkodrën falë vendosmërisë sonë në luftën me krimin. Gjuhët e përdala të atyre që krimin e duan për politikë dhe politikën e bëjnë për të kriminalizuar kundërshtarin, konfirmojnë suksesin e sotëm.

Operacioni u përshëndet edhe nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Tv Klan