“Pensionet rriten nëse rrisim të ardhurat në buxhet”

Porti turistik i Durrësit do të nisë së shpejti ndërtimin, ndërsa qeveria është duke miratuar fazën e parë të punimeve të tij, të cilat nuk do të prekin operacionet tregtare.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Durrësit, Kryeministri Edi Rama tha se ende nuk është vendosur nëse porti i ri tregtar që do të zhvendoset në zonën e Porto Romanos do të bëhet përmes formës koncesion me privat apo investim shtetëror, por siguroi se marina turistike me vlerë 2 miliard dollarë do të hapë 12 mijë vende pune në Durrës dhe do të jetë investimi strategjik më i rëndësishëm i dekadës së fundit.

Me këto zhvillime ekonomike, Rama tha se qeveria do të përpiqet të krijojë mundësinë për të rritur sa më shumë pensionet, por pa bërë premtime pa patur më parë paratë në buxhetin e shtetit, duke shigjetuar programin e demokratëve.

Rama shpalosi edhe vizionin e tij të ardhshëm për ndërtimin e spitaleve që do të ofrojnë shërbime për qytetarët përmes formulës se Partneritet Publik Privat, ku përgjegjësinë e ka kompania menaxhuese, ndërsa pagesën do ta bëjë buxheti i shtetit.

Kryeministri premtoi se në muajin Mars do të nisë puna për rindërtimin e zonës së re me komplekse banesash në Spitallë për strehimin e familjeve që mbetën të pastreha nga tërmeti i Nëntorit 2019, një investim i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Tv Klan