Gati të ulem për të vënë pikat mbi “i” për drejtësinë

Mohon që të ketë në tryezën e tij platformën e Presidentit dhe sfidon partnerët e Reformës në Drejtësi të ulen të gjithë në një tryezë për të folur hapur.

“Presidenti nuk më ka dorëzuar asnjë platformë, por jam gati të ulem në çdo moment me të, me opozitën brenda/jashtëparlamentare e me partnerët e Reformës në Drejtësi, që t’i vëmë pikat mbi “i” të gjitha pikave të të gjitha palëve në shqip/anglisht, se teatri ra, iku e na la”.

Kryeministri e sheh tryezën si mundësi për transparencë lidhur me këtë proces, por dhe procesin e integrimit.

“Jemi në prag të miratimit të Planit të Veprimit për Negociatat në Këshillin Kombëtar të Integrimit, s’ka rast më të mirë që Presidenti, Opozita, Institucionet e Drejtësisë,Partnerët Ndërkombëtarë për Drejtësinë dhe Integrimin, të mblidhen URGJENT në një tryezë me karta të hapura”.

Por propozimit nuk i mungojnë as notat e ironisë për Presidentin dhe kreut e opozitës.

“Presidenti t’i lerë apelet natën për 20 burra e ditën për 11 pika! Opozita t’i lerë ultimatumet trupore e sharjet fëminore! Të dy bashkë ta lenë teatrin e mbledhjeve të komitetit të shpëtimit, se Shqipëria, parlamenti, qeveria, s’kanë kohë të luajnë “e ka kush e ka” dezhurnin”.

Një ditë më parë, Kryeministri u pajtua me një mesazh të Ambasadores amerikane që fliste për një marrëveshje të fshehtë për të vrarë Reformën në Drejtësi, teksa një javë më parë hodhi poshtë mundësinë e rishikimit të Reformës në Drejtësi si një mundësi kompromisi dhe me opozitën e Presidentin.

Tv Klan