“25 Prilli, ndeshje vendimtare për Shqipërinë”

Partia Socialiste ka përzgjedhur disa emra përmes platformës “Deputeti që Duam”. Kreu i selisë rozë, Edi Rama, tha se zgjedhjet e 25 Prillit janë një ndeshje ku do të vendoset nëse Shqipëria do të vazhdojë të bëjë përpara.

Kryeministri tha se gjatë mandatit të fundit, qeveria është përballur me tërmetin dhe pandeminë, megjithatë shumë prej punëve të nisura janë çuar përpara. Kreu i qeverisë deklaroi se grupi aktual parlamentar do të jetë boshti i skuadrës së re që do të krijojë për zgjedhjet e 25 Prillit.

Edhe pak ditë na ndajnë nga zbritja në fushës e skuadrës tonë për ndeshjen e 25 Prillit. Është një ndeshje vendimtare për Shqipërinë në mes të një lufte botërore. Kjo ndeshje nëse do të vazhdojmë te ecim përpara apo të zhytemi përsëri. Ne kemi bërë shumë. Më shumë se të gjithë ata që e kishin këtë detyrë para nesh. Nuk i kemi bërë mirë të gjitha. Ama besoj se kush arsyeton me mendje të kthjellët, nuk e diskuton se nuk jemi kursyer asnjë ditë. Unë si i pari i familjes së madhe kam bërë çmos për ta merituar çdo ditë nderin që më keni bërë me besimin që më keni dhënë. Skuadra jonë kombëtarë po bëhet gati. Ne nuk kemi mungesë. Kemi më shumë lojtarë. Grupi parlamentar ka qenë solid dhe mbështetës për reformat vendimmarrjet e vështira dhe çuarjet përpara. Ky grup do të jetë boshti i skuadrës kombëtare të 25 Prillit”. 

Megjithatë ai u shpreh se skuadra e PS-së duhet të jetë në lartësinë e sfidës së madhe të ripërtëritjes me lojtarë të rinj të cilët do të sjellin energji të reja.

Në partinë tonë nuk ka vend për kasta të pandryshueshme as për piedistale. Ne na duhen deputetë që ambicien më të lartë të kenë qëndrimin sa më pranë zgjedhësve, pjesëmarrjen në parlament dhe kontributin sa më pozitiv më frymën e skaudrës. Për ndeshjen e 25 Prillit kemi krijuar një proces të ri duke e hapur derën për ata dhe ato që kanë ambicien të bëhen pjesë e skuadrës“, tha Rama.

Kreu i PS-së tha se në total përmes platformës “Deputeti që Duam” kanë shprehur interes 1581 qytetarë. Prezantimin e kandidatëve të rinj, kreu i qeverisë e bëri përkrah kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

“Jeni pak arrogant”, si përgjigjet Rama: Mbase jam, por…

Ditën e sotme, Partia Socialiste ka prezantuar finalistët që kanë dalë përmes platformës “Deputeti që Duam”. Kreu i qeverisë pasi dëgjoi një prej finalisteve i kërkoi t’i thoshte defektin më të madh që sheh tek ai.

“Thuaje troç”, i tha kryeministri dhe kandidatja ia ktheu duke i thënë: Jeni pak arrogant.

Kreu i qeverisë tha se këtë gjë ia thonë shumë njerëz. Megjithatë ai sqaroi se duket kështu në sytë e njerëzve për shkak të drejtpërdrejtësisë dhe këmbënguljes që ka për të mbrojtur bindjet e veta.

“E the butë, e di që shumë njerëz e thonë këtë gjë. Mbase jam. Unë e di që ajo mua më etiketohet si arrogancë. Është drejtpërdrejtësia, e folura troç dhe mbrojtja me shumë këmbëngulje e bindjeve të mia. Ndonjëherë me tepri. Faleminderit që më në fund e nxorre një fjalë të sinqertë edhe në aspektin jo pozitiv të themi”, tha Rama.

Rama kandidat edhe në Durrës: Do ta kemi në vëmendje të veçantë

1581 aplikues. Kaq ka qenë numri i personave që kanë shprehur interesin e tyre përmes platformës “Deputeti që Duam”, platformë që PS-ja ka përdorur për t’u dhënë zë emrave të rinj që duan të jenë pjesë e skuadrës së saj në zgjedhjet e 25 Prillit.

Këtë e konfirmoi ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, i cili dëgjoi 10 prej finalistëve këtë të diel. Në fund, kreu i socialistëve tha se do të jetë kandidat edhe në listën e Durrësit.

“Do të kisha dashur të kishim sot më shumë nga pjesëtarët e rinj të skuadrës kombëtare, por u ndalëm në numrin 10, jo se ishin 10 më të mirët, por ishin 10 prej më të mirëve që u përzgjodhën nga një proces i gjatë ku morën pjesë 1581 kandidatë. Më vjen mirë që rastësia solli që ky takim të mbyllet me Shkodrën dhe Durrësin. Nga Shkodra e mora kritikën direkt. Durrësi nuk më kritikoi, e di që e ke, por tani mbaje për vete sepse unë do të jem pjesë e skuadrës edhe në Durrës dhe ky mandat i tretë do të ketë vëmendje të veçantë për Durrësin si porta kryesore e Mesdheut në Shqipëri, si një pol i pazëvendësueshëm ekonomik së bashku me Tiranës, si një potencial i pashfrytëzuar shfrytëzimi për gjithë Shqipërinë dhe si vendi ku na duhet të fitojmë sfidën e madhe e zhdukjes së pasojave e tërmetit. Sot jemi në një udhëkryq mes të ardhmes dhe të shkuarës në një punë që vazhdon, një unë që duhet kryer dhe askush nuk e bën më mirë se në dhe pse ne nuk jemi më të mirët”.

Kreu i qeverisë tha ndër të tjera se boshti i skuadrës kombëtare për zgjedhjet e 25 Prillit do të jetë nga grupi aktual parlamentar./tvklan.al