Në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste që po mbahet këtë të shtunë në stadiumin “Air Albania”, Kryeministri Edi Rama preku disa prej çështjeve kryesore të programit të qeverisë gjatë mandatit të tretë. Rama prezantoi institucionin e ri, të quajtur Këshillimi Kombëtar, ku qytetarët siç tha kryeministri do të kenë mundësi të dëgjohen.

“Do prek disa çështje madhore të mandatit të tretë që do t’i dëgjoni shumë shpesh në vijim dhe që lidhen me qasjen tonë politike. Fitorja e mandatit të tretë në raport me rivalët tanë, është një fitore që i përket historisë së PS dhe zgjedhjeve politike në Shqipëri. Ne sot dhe në vijim na përket vetëm detyrimi i jashtëzakonshëm ndaj vendit, njerëzve, fëmijëve, etj. Mandatin e 3 do ta çojmë përpara që nga komunikimi publik, me rivalët politikë, por duke mos e harruar për asnjë çast, marrëdhëniet me publikun. Dua që mandati i tretë të shënojë një hapje të re ndaj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, duke i përfshirë ata në vendimmarrje përmes një institucioni të ri kombëtar, Këshillimi Kombëtar. Dua që populli të mos dëgjohet vetëm një herë në 4 vjet, por të dëgjohet të paktën një herë në vit.

Këshillimi do të jetë një institucion këshillimi me shkrim. Të gjithë ata që duan të përfshihen të thonë me shkrim, po ose jo për çka ne shtrojmë si alternativa të mundshme. Ne do të përgatitemi që këtë vjeshtë të zhvillojmë këshillimin e parë kombëtar”. /tvklan.al