Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën këtë të hënë duke postuar një video dhe duke prezantuar platformën dixhitale që do të përdoret në transportin rrugor ndërqytetas.

Kjo platformë do të quhet e-Transport dhe do të përdoret për herë të parë në Shqipëri. Kryeministri shkruan se e-Transport do të menaxhojë dhe monitorojë fluksin e udhëtarëve në linjat e transportit për gati 50 milionë bileta në vit.

Aplikacioni do të jetë falas për 520 linja, 242 operatorë dhe 2 282 mjete, shkruan kryeministri Edi Rama.

“Për herë të parë në Shqipëri, kjo platformë inovative do të menaxhojë e monitorojë fluksin e udhëtarëve në linjat e transportit, për gati 50 milionë bileta udhëtimi në vit, duke sjellë një përmirësim rrënjësor të eksperiencës së udhëtimit në Shqipëri! Modul biletimi elektronik online (përmes aplikacionit në celular dhe faqes online), në autobus e në stacione, si dhe në agjencitë e udhëtimit”, shkruan Rama./tvklan.al