Kryeministri rendit prioritetet për energjinë në mandatin e tretë

Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të enjte programin e qeverisë për energjinë. Kreu i qeverisë nënvizoi të gjitha prioritetet që do të ketë qeveria e tij nëse fiton mandatin e tretë.

Ai u shpreh se do të vijohet me investimet në rrjetin e shpërndarjes. Po ashtu sipas kryeministrit, në fokus mandatin e tretë do të jetë fuqizimi i kapaciteteve të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Rama shtoi se do të ndërtohen dhe transformohen stacionet në rang vendi, ndërkohë që do të ndërtohet një rrjet i ri. Kryesore sipas Ramës është fuqizimi në aspektin teknologjik smart të sistemit.

“Duhet të vazhdojmë investimet në rrjetin e shpërndarjes ku kemi investuar afro gjysmë miliardi Dollarë dhe ku kemi ndërtuar një seri të tërë veprash. Janë projekte madhore. Aktualisht për vitin ku jemi pavarësisht goditjeve të marra nga tërmeti dhe pandemia që na ka detyruar të rishikojmë shumë gjëra vazhdojnë investimet, investime të rëndësishme dhe prioritete kryesore në mandatin e tretë janë e para të rrisim sigurinë e furnizimit për të gjithë përmes fuqizimit të kapaciteteve të shpërndarjes së energjisë elektrike. E dyta të ndërtojmë dhe transformojmë në stacionet e tjera në rang vendi nga Shkodra në zonën e bregdetit Jon, nga Velipoja në Pogradec, sa për të numëruar disa që janë kyç, të vijojmë të ndërtojmë një rrjetë të të ri 20 kilovolt me një seri kabinash të tjera të cilat do të garantojnë në kompleks me masat e tjera një siguri të re energjitike dhe një cilësi krejt të re të shërbimit. Më tutje, të fuqizojmë aspektin teknologjik smart, dixhital, në monitorim dhe operim përmes një sistemi që tanimë është i instaluar në Shqipëri dhe e ka bazën e nevojshme për t’u shtrirë duke telekomanduar në distancë të gjitha kabinat dhe duke filluar pjesë nga Shkodra në zona të tjera pasi është ndërtuar zemra këtu në pellgun Tiranë-Durrës dhe kështu duke pasur në kontroll një sistem të tërë përmes sinjalizimeve në çaste të defekteve, uljes në kohë të shumë riparimeve, përmes monitorimit online të ngarkesës. Një fakt që ka rëndësi të thuhet Shqipëria ishte në vendin e 154 të botë për kohën e lidhjes së energjisë për një subjekt. Sot ne kemi kapërcyer më shumë se 100 vende dhe jemi në 2020 në vendin e 44 në botë”, tha Rama./tvklan.al