Rutte: Mbështesim integrimin e Shqipërisë, RMV të pranojë propozimin

Edi Rama dhe Mark Rutte i bëjnë së bashku thirrje Maqedonisë së Veriut të pranojë propozimin francez për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara me procesin e integrimit.

“Do ishte për të ardhur keq nëse kjo do haste pengesa diku. Nesër në qeveri me shpresë do merret një vendim dhe më pas parlamenti duhet të bëjë pjesën e vet sepse nëse jo, më vjen keq ta them dhe dua që ta dinë, mund të kenë edhe shumë vite të tjera pritjeje sepse askush nuk do dojë të shkojë përsëri pas dhe të rihapë gjërat”, u shpreh Kryeministri Rama.  

“Natyrisht ka një optimizëm që Maqedonia e Veriut të pranojë kompromisin francez dhe u bëj thirrje kolegëve të mi të Maqedonisë së Veriut dhe parlamentit të Maqedonisë së Veriut që ta pranojë kompromisin francez sepse mendoj që është një kompromis i drejtë, për të cilin gjithkush fiton dhe humbet diçka, por së paku është një përmbledhje apo një rezultat i drejtë”, deklaroi Kryeministri holandez Rutte.

Si Rama ashtu dhe homologu i tij holandez në krah të njëri-tjetrin në konferencën e përbashkët për shtyp në Amsterdam, theksuan se BE duhet të ndajë vlerësimin për Shqipërinë nëse Maqedonia e Veriut do të refuzojë propozimin e Macronit.

“Në qoftë se, shpresoj që jo, kjo të mos marrë mbështetjen Maqedonisë së Veriut do ketë më shumë mbështetje në Europë që Shqipëria të nisë vetë bisedimet për anëtarësim, ndarazi nga Maqedonia e Veriut. Unë nuk mund ta garantoj këtë, por mendoj që kolegët e mi do ta shohin më pozitivisht faktin që të nisin bisedimet e anëtarësimit veç për Shqipërinë”, theksoi Rutte.

Rutte ashtu si në Tiranë u pozicionua pro Open Balkan si një mekanizëm që i jep këtij rajoni siguri.

“Ballkani është pjesa më e cënueshme e zinxhirit që mund të preket dhe largqoftë, të thyhet si pasojë e luftës në Ukrainë dhe në anën lindore. Pse? Sepse Rusia ka një influencë të qartë brenda. Ka disa lidhje tradicionale ndaj unë besoj që duhet ta marrim  Serbinë me ne e të mos e lëmë të shkojë nga ana tjetër”, deklaroi Rama.

“Për nismën Ballkani i Hapur, gjithçka që mund të bëhet dhe Edi Rama është një nga udhëheqësit më me përvojë në rajon. Mendoj se nën udhëheqjen e tij fakti që kjo nismë ka ecur përpara,është tejet pozitive. Unë do të përgëzoja dhe do të rekomandoja çdo lloj platforme që bën vendet të diskutojë si diçka pozitive dhe kjo është mënyra për shumë vende të Ballkanit Perëndimor që të diskutojnë çështje të interesit të përbashkët”, u shpreh Kryeministri Rutte.

Por qëndrimi holandez nuk qenë gjithmonë kaq mbështetës për ecurinë e Shqipërisë drejt BE. Vetë Kryeministri holandez kujton përplasjet me homologun shqiptar në samitin e Sofjes vite më parë, dhe vlerëson ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit për të cilën autoritetet holandeze kanë dhënë një kontribut jo të vogël.

“Shqipëria ka hedhur hapa të jashtëzakonshme dhe ne po ndihmojmë në proces, me njerëz, natyrisht me këshillat holandeze në Shqipëri sesi ta çojmë përpara procesin dhe jam krenar për këtë proces dhe është një gjë që e kemi diskutuar për shumë vite unë dhe Edi Rama dhe më kujtohet Samiti i Ballkanit Perëndimor në Sofje, ku gati u kapëm fizikisht me njëri-tjetrin”, tha Rutte.

Rama dhe Rutte vlerësuan dhe potencialet e një bashkëpunimi tregtar e ekonomik. Një nga projektet më të prekshme duket ai me kompaninë Shell me përfaqësuesit e të cilës Rama pati edhe një takim të hënën në Amsterdam.

“Holanda tashmë renditet mes investuesve më të mëdhenj në Shqipëri. Kemi Shellin sigurisht dhe me shpresë presim me padurim një lajm të mirë në fillim të vitit tjetër falë një eksplorimi mjaft intensiv që Shell po bën në vendin tonë. Në qoftë se do jetë kështu, atëherë do kemi për të festuar, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë rajonin në këto kohë të vështira për energjinë dhe për burimet e reja”, deklaroi Rama.

Takimi Rama-Rutte u mbyll me një darkë që homologu holandez shtroi me rastin e ditëlindjes së Kryeministrit shqiptar që këtë 4 Korrik feston 58-vjetorin e lindjes.

Tv Klan