Kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëron u prit nga Mbreti Felipe VI Në Pallatin Mbretëror Zarzuela, takim që rezervohet si drejtuesi i qeverisë së një vendi që do të mikpresë Kongresin Botëror të Ligjit të radhës, të cilin Shqipëria është vendosur ta organizojë në 2027.
Pjesë e takimit ishin dhe anëtarët e bordit të organizatës botërore të juristëve ku bëjnë pjesë gjyqtarë, akademikë dhe profesionistë të ligjit nga e gjithë bota.
Pasditen e së premtes, në një konferencë për mediat para nënshkrimit të marrëveshjes për organizimin e këtij kongresi, kryeministri Edi Rama tha se mbajtja e këtij eventi në Shqipëri është shpërblimi më inkurajues për të gjitha përpjekjet e arritjet veçanërisht në Reformën në Drejtësi.
“Na u thanë kaq shumë fjalë inkurajuese për betejën tonë për të reformuar drejtësinë në Shqipëri dhe për ta bërë Shqipërinë një anëtare krenare të Bashkimit Evropian, ku shteti i së drejtës është i vendosur një herë e përgjithmonë. Më duhet të them që fakti që Shqipëria do të mikpresë Kongresin Botëror të Drejtësisë është shpërblimi më inkurajues për të gjitha përpjekjet dhe për arritjet”, tha Rama.
Rama tha se Shqipëria ka pësuar një transformim që nuk mendoheshin këtu e 50 vjet më parë dhe se ky nuk është i vetmi event që do të mikpresë.
“Në 2027, Shqipëria do të jetë mikpritëse, jo vetëm e Kongresit Botëror të Drejtësisë, por edhe e Samitit të NATO-s, e po kështu edhe e finaleve evropiane nën moshën 21 vjeç në futboll. Kështu që, këto janë gjëra të jashtëzakonshme që po na ndodhin, falë punës që kemi bërë sigurisht, sepse duhet të mbani parasysh që nuk ishte 100 vjet më parë, por ishte gjatë jetës sime. Ishim tërësisht të izoluar dhe ishim Koreja e Veriut të Europës, ishim të izoluar, qoftë nga Perëndimi, ashtu dhe nga Lindja dhe pretendonim se ishim vendi i vetëm i vërtetë e i mirëfilltë komunist dhe kishim vetëm 5 mijë vizitorë mesatarisht në vit, ndërkohë që vitin e kaluar e mbyllën me 12 milionë të tillë”, tha Rama.
Kryeministri tha se tashmë Shqipërisë i është dashur të luftojë kundër një stigme të përhapur në Evropë që ishte ajo se ishte kriminele, por tashmë ajo ka marre fund.
“Kërkonte që Shqipëria të ishte një vend i zymtë, ku askush nuk duhet të shkojë, sepse është e rrezikshme. Por, për fat të mirë, e gjitha kjo ka marrë fund tashmë dhe të gjithë ata që vijnë në Shqipëri mrekullohen nga mikpritja, nga vendi i bukur, nga siguria. Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Europë”.
Kongresit Botëror i Ligjit në vitin 2027 pritet të sjellë në Tiranë rreth 3 mijë juristë nga gjykatat supreme dhe sistemet gjyqësore të shumë vendeve të botës.
Kjo organizatë është krijuar në 1963 dhe po në të njëjtin vit është zhvilluar dhe kongresi i parë i saj.
Tv Klan