“Presidenti varet nga kahja e hënës kur flet”

Shumica është e hapur për diskutime mbi draftin e propozuar në ligjin zgjedhor, edhe pse Kryeministri Edi Rama deklaron se listat e hapura janë një model i huazuar europian. Por ajo që thotë se nuk do të tolerohet është që demokratët jashtë parlamentit të pengojnë procesin që duhet të mbyllet brenda Tetorit.

“Propozimi nuk është asnjë shpikje, propozimi i referohet një modeli që e kanë disa vende demokratike që përdorin listat e hapura, çdo propozim është i diskutueshëm. Unë uroj dhe shpresoj që opozita jashtë parlamentare të mos humbasë kohë siç e ka zakon, sepse koha nuk pret. Zgjedhjet janë me 25 prill, votimi i ligjit zgjedhor është vetëm hapja e një procesi ku pastaj do të duhet që të zbatohet ligji zgjedhor, por të mos harrojmë që në ligjin zgjedhor kemi edhe angazhimin për sistemin e identifikimit elektronik dhe sa më shumë humbitet kohë aq më pak bëhet i mundur implementimi i këtij sistemi, edhe njëherë e përsëris, opozita është e mirëpritur të diskutojë, të japë alternativa, por që të pengojë procesin siç e ka zakon duhet ta harrojë një orë e më parë sepse nuk ka kohë për të pritur dhe sigurisht që ne nuk do të presim në pafundësi”.

Një tjetër çështje ku Rama nuk do të lëshojë pe është modeli i koalicioneve parazgjedhore.

“Duke konsoliduar sistemin zgjedhor, me një ndryshim të domosdoshëm të formulës së koalicioneve ndaj një formule absurde, e cila ishte krejtësisht unikale dhe të cilën nuk e ka asnjë vend në një formulë që e kanë të gjitha vendet evropiane që kanë koalicionin si një mundësi dhe që krijojnë koalicione parazgjedhore“.

Në intervistën e dhënë në Berlin, Kryeministri iu përgjigj edhe deklaratave të presidentit për shpërndarjen e parlamentit. Ndërsa, vetë kreun e shtetit, Rama e përshkroi si një njeri lunatik, që ka një raport personal me rrotullimin e hënës.

“Nuk i kam ndjekur deklaratat e Presidentit, nuk përbëjnë asnjë surprizë. Në çfarëdolloj forme që ata të ata të materializohen Presidenti ka një raport shumë personal me rrotullimin e hënës, kështu që varet nga dita dhe varet nga kahja e hënës në momentin kur flet, ndërkohë që Parlamenti vazhdon punën, jo vetëm që është legjitim, por është në krye të detyrës dhe do të vazhdojë të kryejë detyrën për të reflektuar në kodin zgjedhor ndryshimet e rëndësishme që ndodhën përpara mbylljes së sesionit të kaluar”.

Kryeministri ishte për një vizitë në Berlin, në një përpjekje për të lobuar në grupin më të madh parlamentar të Bundestagut gjerman CDU/CSU, për një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave.

Tv Klan