“Dhuna, nga një lukuni e mbledhur me Lekët e Presidentit”

Kryeministri Rama akuzoi drejtpërdrejtë presidentin Meta se qëndron pas protestave të dhunshme që kanë shpërthyer pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i policisë dhe se po i paguan protestuesit.

“Policia e shtetit nuk është një lukuni njerëzish të mbledhur më Lekë dhe të nxitur dhe orkestruar nga Presidenti i Republikës. Akoma nuk e ka dënuar dhunën del edhe një orë përpara lajmit se po i vjen fundi i botës nga kjo lukuni dhe inkurajon lukuninë dhe vë gishtin mbi policinë. Prova janë fjalët e Presidentit të Republikës që është nxitës dhe orkestrues, e pandodhur ndonjëherë që një parti politike dhe kjo është partia e Presidentit të përdor minorenët dhe patjetër edhe të joshur edhe me para për të marr rrugët edhe për të bërë ato që bëjnë”.

Kreu i qeverisë nuk lë jashtë akuzave dhe drejtuesit e Partisë Demokratike.

“Së bashku me atë tjetrin ish-President i Republikës, ish-Kryeministër, që sot e gjithë ditën është krenar që ka vrarë njerëz dhe i vjen keq që nuk ka vrarë akoma më shumë njerëz. Bashkë me Monikën dhe me atë tjetrin, se ai ha përshesh dhe pret të bëhet dhëndër.”

Këto akuza kryeministri i bëri teksa vizitoi policët e plagosur gjatë dy ditëve të protestës dhe bëri të qartë se dhuna nuk do të tolerohet më.

“Kjo nuk do të thotë që këtu u gjet sheshi për të bërë përshesh…”

Kryeministri nuk pranoi të flasë për emrin e zëvendësuesit të Sandër Lleshajt, një proces ky për të cilin pati dhe një takim edhe me kryetarin e Parlamentit, Gramoz Ruçi, gjatë paradites së kësaj të premte.

Por më herët në disa postime në rrjetet sociale ai tha jo të prerë protestuesve që kërkojnë tani dhe dorëheqjen e kreut të Policisë Ardi Veliu e për ta përforcuar këtë vendim të tij, në vizitën e policëve të plagosur në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ishte në krah të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Tv Klan