Kryeministri Rama u tha ndjekësve të tij në rrjete sociale shpreh se pa Partinë Socialiste, nuk do të kishte arresime ministrash apo, kryetarësh bashkish.

“Kjo ditë, dita e arrestimeve, dita e gjykimeve, dita e hetimeve të personave me pushtet politikë, qofshin ministra, qofshin kryetarë bashkie, qofshin ish e qofshin çfarëdoqofshin, nuk vinte kurrë o ti miku im pa mua dhe pa Partinë Socialiste”, tha Edi Rama.   

Rama mori në mbrojtje edhe Dumanin.

“Altin Dumanin, për të cilin kam shumë respekt, për hir të së vërtetës dhe të cilit ia kam shprehur publikisht solidaritetin kundër të gjithë qenërisë që i turret për ta vënë nën presion, ka qenë aty, prokuror i Republikës së Shqipërisë, edhe ata të tjerët që janë sot në SPAK, aty kanë qenë. Por nuk kanë pasur fuqinë që kanë sot sepse shpatën e ndëshkimit e mbante kush rrinte në këtë zyrë mor zotëri. E mbante kush rrinte në këtë zyrë dhe e përdorte për hesapet e pushtetit të vetë. E mbante pushteti ekzekutiv, shpatën e ndëshkimit, zonja e drejtësisë, figura. Ka shpatën në dorë, ka peshoren e drejtësisë, ka dhe sytë të mbuluar për të qenë totalisht e paanshme. Unë e dorëzova shpatën për të bërë këtë që po bëj. Patjetër, se kjo është e vetmja rrugë”, tha Rama.     

Ironizoi koalicionin opozitar Shqipëria madhështore.

“Kujtim Gjuzi është fryma, pamja dhe gjithë simbolika e Shqipërisë madhështore. Partia Socialiste është e pathyeshme, është e pamundur ta thyesh sepse ne punojmë përditë. Është një makinë që punon përditë”, tha kreu i qeverisë.  

U ndal sërish tek bufi dhe këneta.

“Këneta në vetvete ka ato të mirat e veta. Edhe bufi vetë, ai i vërteti i kënetës është ku e ku me këtë bufin tjetër që është buf me dy këmbë e me dy duar, kështu që kjo është për të pasur të qartë një gjë që alternativa ndaj nesh është këneta dhe po të kthehemi mbrapsht ne Shqipërinë e kemi gjetur në kënetë. Kjo është e vërteta”, tha Rama.

Solli si shembull Shkodrën që dikur votonte Berishën.

“Ishin tifozë shkodranët dhe votonin kënetën pambarimisht. Momentin që vendosën të votojnë Partinë Socialiste dhe të votojnë kandidatin tonë Shkodra doli nga këneta. Ky është fakti, Shkodra po merr frymë dhe kemi investime të tëra për të vazhduar për të bërë në Shkodër dhe do ta bëjmë Shkodrën një destinacion të jashtëzakonshëm sepse është një vend i bekuar nga Zoti, nga të katër anët por e mori peng këneta, edhe tifozllëku. Tani me 11 Maj nuk ka tifozllik sepse duhet të fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian”, tha Edi Rama.

Rama ishte optimist për negociatat.

“Përsëri në Mars ne do të hapim grupkapitujt e tjerë zyrtarisht të negociatave. Kemi rënë dakord për një kornizë që do të mbyllim negociatat në 2027-tën që i bie 2024-2027, pra gjysma e dytë, i bie më pak se tre vjet. Nuk i ka ndodhur asnjë vendi tjetër. Kroacisë i është dashur shtatë vite, duhet të fokusohemi të gjithë tek ky proces. Duhet ti japim me 11 Maj fuqi këtij procesi, duhet të mos ketë ndërprerje asnjë ditë, sepse shpejtësia marramendëse e kësaj pune e paparë”, tha Rama.  

Klan News