Në 10 muaj, që kur u ngrit, 15 174 qytetarë i janë drejtuar platformës së bashkëqeverisjes për t’u ankuar për korrupsionin dhe zvarritjet që hasnin në sportelet publike.

Kryeministri jo pa krenari ka publikuar raportin për punën e bërë nga ky portal, që e premtoi në fushatë si mekanizmin që do të luftonte korrupsionin dhe paaftësinë në administratën shtetërore.

13 732 raste, sipas raportit, kanë marrë zgjidhje jo më vonë se 10 ditë nga dita që është regjistruar në portal.

Rekordin e ankesave prej 5363 të tilla e mban Ministria e Drejtësisë, që ka në varësi drejtori si hipotekat, ALUIZNI-n apo Agjencinë e Pronave. Por ka dhe numrin më të lartë të çështjeve që kanë marrë zgjidhje 4681.

Edhe numrin më të madh të punonjëseve të larguar nga puna dhe të denoncuar pranë organeve të drejtësisë e ka po ashtu Ministria e Drejtësisë. Për 239 zyrtarë dhe punonjës të këtij dikasteri janë marrë masa administrative, nga 420 të tilla të dhëna për punonjësit e 9 ministrive.

Në Shtator, Kryeministri ka premtuar se do të nisë nga zbatimi reforma që do të bashkojë në një institucion të vetëm Hipotekat, ALUIZNI-n dhe Agjencinë e Pronave. Një hap ky, që sipas tij, do të ulë korrupsionin dhe do t’i jap më shpejt zgjidhje çështjeve të pronësisë.

Tv Klan