“Edi Rama ka bërë për vete italianët vetëm për 2 minuta e 20 sekonda. Patjetër që edhe me një gjest fisnik”.

Kështu e nis e përditshmja torineze Tuttosport artikullin e saj online. Gazeta italiane ka marrë në intervistë kreun e qeverisë pas vendimit për të dërguar në Itali 30 mjekë dhe infermierë për luftën ndaj pandemisë. Ai është vendosur në faqen e parë në një foto sëbashku me yllin e Juventusit, Cristiano Ronaldo.

“E ndjejmë veten pjesë të vendit tuaj. Virusi mposhtet me metodën Sacchi. Të mëdhenjtë vihen në shërbim të grupit”, mësohet të jetë shprehur gjatë intervistës kreu i qeverisë.

Tuttosport citon edhe një pjesë të fjalimit të Ramës teksa përcillte ekipin mjekësor në aeroportin e Rinasit, ku thoshte: “Nuk jemi të pasur, por nuk harrojmë. Na keni mirëpritur dhe ne nuk e braktisim kurrë mikun në vështirësi”.

Kryeministri Rama ka qenë i ftuar edhe në emisionet e televizioneve më të mëdha italiane përmes lidhjeve online. Sky News, La 7 dhe së fundmi Rai 3 morën në intervistë kreun e ekzekutivit. Rama tregoi detaje interesante rreth ekipit mjekësor që është nisur drejt Italisë.

“Ka qenë një ide që unë ia kam treguar Di Maios dhe ai më ka thënë që do ishte fantastike. Pastaj kemi bërë këto telefonata nën zë për të dëgjuar djemtë tanë pasi kishim një dyshim të vogël se nuk do të ishin shumë të gatshëm të shkonin në këtë luftë, por të gjithë të gatshëm. Disa prej tyre nuk u kanë thënë gjë prindërve. Më treguan në aeroport se nëse do u tregonin nuk do i linin kështu që thanë se do i marrin në telefon kur të zbrisnin në Itali”, tha Rama për Rai 3.

Të hënën gazetat italiane vlerësuan gjestin e Shqipërisë që dërgoi në vendin fqinj 30 mjekë dhe infermierë për të ndihmuar kolegët në Itali, pasi vendi fqinj është goditur rëndë nga koronavirusi COVID-19.

Të përditshmet italiane cituan mesazhin e Kryeministrit Edi Rama nga aeroporti i Rinasit, përpara nisjes së ekipit mjekësor shqiptar./tvklan.al