Rama publikon pyetjen për legalizimin e kanabisit




Rama publikon pyetjen për legalizimin e kanabisit

10:53 23/01/2022

Efekte në ekonomi dhe uljen e kriminalitetit

Krahas pyetësorit të këshillimit kombëtar që do u shkojë në shtëpi gjithë qytetarëve shqiptare, kryeministri Edi Rama ka vijuar kuvendimin popullor edhe në rrjetet sociale. Ai ka publikuar këtë të dielë pyetjen e gjashtë të këtij pyetësori dhe që ka të bëjë me legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, duke ftuar qytetarët që të japin mendimin e tyre nëse kjo gjë duhet lejuar ose jo.

“Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?”

Kreu i qeverisë ka publikuar  edhe shpjegimin që jepet në pyetësor rreth kësaj çështje, ku evidentohen anët pozitive që do të kishte legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore, si në aspektin ekonomik, por edhe në luftën kundër paligjshmërisë.

Kanabisi mjekësor, i cili është i ndryshëm nga kanabisi për përdorim vetjak, provohet gjerësisht nga shkenca se ka efekte kurative. Megjithatë, siç rezulton nga eksperienca e vendeve të ndryshme të rajonit apo botës, shfrytëzimi i kontrolluar i kanabisit nga shteti ka impakt shumë pozitiv jo vetëm në shëndetësi, por edhe në rritjen ekonomike dhe në luftën kundër shfrytëzimit të paligjshëm të kësaj bime”.

Shumë vende të botës e kanë legalizuar prej vitesh kanabisin për përdorim në industrinë farmaceutike. Por dekadën e fundit po shtohen edhe vendet që po e dekriminalizojnë, duke u sjellë buxheteve të tyre, përfitime kolosale dhe reduktim të shifrave të kriminalitetit që lidhet me trafikun e lëndëve narkotike. Një nga vendet më të afërta me Shqipërinë që ka lejuar kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore është Maqedonia e Veriut, ku janë dhënë më shumë se 66 licenca për këtë aktivitet.

Tv Klan











Të ngjashme