Rikthimi i vizave për shqiptarët, për Edi Ramen është një skenar që ka zero shanse të ndodhë.

“Duhet të konstatohet kthimi mbrapa në zbatimin e të gjithë kritereve teknike të përcaktuara për lëvizjen e lirë. Qeveria holandeze nuk ka ndërmarrë ende hapin që në bazë të vendimit të marrë nga Parlamenti në kushtet e një fushate elektorale, ku këto tema t’i drejtohen Komisionit Europian. Pastaj, KE në rast se ka një adresim nga qeveria holandeze, merr dhe shqyrton kriteret. Janë kritere teknike, jo politike. Shqiptarët përbëjnë 0.2% të personave me precendent penal apo me çështje penale në Mbretërinë e Holandës. Nga 240 mijë njerëz që gjenden në burgjet e atij vendi, shqiptarët nuk janë as 500. Nëse KE, hipotetikisht, gjykon se kriteret objektive janë të gjitha të ndryshme nga ato që janë në fakt, atëherë KE nuk vendos, ja dërgon KiE dhe ku duhet konsensusi i të gjitha vendeve anëtare të BE për të çuar më tutje procedurën. Dhe ka një nen të veçantë, që është shumica e cilësuar e vendeve të KE në rast se ka reagim nga një vend përkatës për të vendosur VETO kundër konsensusit. Në rast se përdoret shumica e cilësuar për të pranuar këtë procedurë, atëherë i çohet Parlamentit Europian”.

Mocioni i parlamentit holandez për pezullimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve, për Kryeministrin është vendim kryekëput politik që është ndërmarrë vetëm për shkak të fushatës zgjedhore ku është përfshirë ky vend.

“Pse shqiptarët e bën portin e Roterdamit? Po për Bullgarinë që thoshin s’e votojmë se një bullgar ka bërë atentat ndaj Papës”.

Në parlament Rama akuzoi opozitën zyrtare se është bërë bashkë me antishqiptarët duke festuar për këtë vendim të parlamentit holandez, që sipas tij nuk ka asnjë lidhje për kushtet e përcaktuara nga BE për lëvizjen e lirë.

“Një festë e neveritshme e cila i drejtoi të gjithë tytat e atyre topave për të hedhur fishekzjarret, për të hedhur kapsollat në shtëpitë e shqiptarëve, duke u përpjekur të transformojë atë procedurë të një lufte të brendshme këtu në Tiranë e cila u katandis keq e më keq në formën e një reagimi deputetësh që refuzuan të përfaqësojnë popullin dhe t’i vënë zjarrin ardhmërisë së vendit. Si mundet, shqiptarë të preferojnë të bëhen zëdhënës të atyre që shqiptarët i kanë kthyer në mish për top. Si mund të bjerë dinjiteti i disa forcave politike shqiptare dhe të përdorin anti-shqiptarët, kjo është realisht e neveritshme. Si mundet që lufta për pushtet të çojë disa parti politike deri në këtë pikë? Si mundet që lufta politike në Shqipëri të katandiset deri në derexhenë ku ata që braktisën detyrën, kthehen në zëdhënës entuziastë të atyre që nuk duan ta shikojnë me sy Shqipërinë? Si mundet që alibitë e atyre politikanëve të gjejnë vend këtu në vendin tonë? Sot do të duhej të ishte ndryshe, dita e politikës shqiptare ku pavarësisht gjithçkaje që na ndan, duhet të na bashkojë Shqipëria”.

Por kryetarja e re e grupit parlamentar të demokratëve, Rudina Hajdari i kërkon Kryeministrit që përgjegjësinë për këtë vendim të Holandës ta kërkojë edhe tek vetja.

Të dhënat e vetë shtetit holandez të artikuluara nga ministrat në parlament flasin se dy nga treguesit që janë kusht për pezullimin e lëvizjes së lirë nga një shtet i Schengen, përfshirja e shqiptarëve në vepra penale dhe kërkesat për azil, janë ulur.

Edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, tha të mërkurën në Tiranë se nuk ka prova për pretendimet e Holandës për të rivendosur vizat për shqiptarët.

Tv Klan