Kryeministri Edi Rama tha se qeveria që ai drejton nuk i bëhet mburojë asnjë aktiviteti të paligjshëm dhe askujt, cilido qoftë ai. Komentet i dha pasi u pyet në lidhje me një hetim të autoriteteve spanjolle për skemat e mashtrimit me call center.

“Qeveria jonë nuk është mburojë e asnjë aktiviteti. Qeveria jonë nuk i bëhet mburojë askujt, cilido qoftë. Për të ardhur tek rasti konkret, këto spekulime të natyrës që një ish-zyrtar etj etj janë pa asnjë vlerë, sepse faktikisht, e para, ky “ish-zyrtar” është në kërkim nga drejtësia dhe ky është një proces për kujtesë që nuk është bërë nga organet ligjzbatuese në mënyrë krejt të pavarur, por në bashkëpunim me organet tona ligjzbatuese… Pra organet tona ligjzbatuese, dhe këtu kam parasysh Policinë gjithashtu, që është në një farë mënyre nën ombrellën e ekzekutivit, nuk kanë pasur dhe nuk kanë për askënd asnjë lloj pengese dhe asnjë lloj ndikimi për të mos vepruar. Sa i përket sjelljes në valle të emrit të tim vëllai, kjo është pjesë e valles së madhe të shpatave që zhvillohet në mexhilisin tonë politike. Në rastin konkret jemi para një sjellje në valle për vallen e shpatave të politikës. Nëse personazhi do kishte pasur mburojë shtetërore, nuk do ishte në kërkim”, u shpreh Rama./tvklan.al