“Të reflektojmë që të mos përsëriten shfaqjet ekstreme ku fëmijët përdorën mish për top”

Kryeministri Edi Rama është shprehur këtë të premte se protesta duhet t’i shërbejë institucioneve për të kuptuar se çfarë duhet bërë që të mos përsëriten sipas tij, aktet e dhunshme.

Kreu i qeverisë tha se ato shfaqje ekstreme shërbejnë për vende ku fëmijët i përdorin si mish për top nga organizata të ndryshme ekstremiste.

“Kur them fundin kam parasysh shpërthimin e një proteste goxha të veçantë në llojin e vet, e cila duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë përtej faktit fatkeq se përfshirja për herë të parë në historinë tonë e minorenëve, fëmijëve,për të luftuar brenda vetes për qëllime të caktuara, një fakt tejet fatkeq, por sidoqoftë domethënës jo vetëm për të kuptuar natyrën e agresionit ndaj policisë së shtetit, një agresion i frymëzuar, nxitur, organizuar sistematik, për vite e vite me radhë, por për të kuptuar edhe përtej kësaj, për të kuptuar se çfarë ne, dhe kur them ne nuk kam parasysh strukturën e Ministrisë së Brendshme përtej policisë së shtetit, por kam parasysh të gjithë qeverinë, duhet të bëjmë që kurrë të mos përsëritet një shfaqje e tillë ekstreme e denjë për vende ku fëmijët janë mish për top për organizata terroriste, për organizata me synime ekstreme që nuk ndalen në përdorimin e mjeteve ekstreme”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se gjatë qeverisjes së tij, është dëgjuar gjithnjë zëri i protestuesve dhe në shumë raste policia ka reflektuar si të sillet. Ai u shpreh se qeveria në drejtimin e tij ka respektuar çdo protestues. Si shembuj kreu i qeverisë mori protestat për Unazën e Re dhe Teatrin Kombëtar.  

“Jam krenar se për faktin që në këto 7 vite e pak qeveria jo vetëm e ka dëgjuar gjithnjë, zërin e protestuesve, por në jo pak raste ka reflektuar dhe ka ndryshuar qasje apo qëndrim në lidhje me një çështje të caktuar, përballë arsyes së protestuesve.  Armët kimike, studentët, pagesa e kuksianëve për Rrugën e Kombit, apo kërkesa e naftëtarëve të Ballshit janë disa shembuj që të gjithë mund t’i kujtojnë, janë konkretë, kuptimplotë, për shkallën e dëgjueshmërisë dhe gatishmërinë.  Kjo qeveri nuk e ka diskutuar kurrë të drejtën e protestës dhe çdo protestues është respektuar maksimalisht në këtë të drejtë. Madje në këtë rast respektimi i protestës ka shkaktuar shkeljen e së drejtës së të tjerëve. Për shembull në rastin e Unazës së re, e drejta e protestës është ushtruar dhe respektuar nga ana jonë, në interes të një grupi të caktuar interesi ndërkohë që është shkelur e drejta e një mase të madhe njerëzish për të qarkulluar lirisht për në Tiranë apo jashtë Tirane. Bashkë me të drejtën e njerëzve është shkelur edhe e drejta për një projekt strategjik. Edhe rasti i Teatrit. Një pakicë artistësh, të lidhur me fije politike përdorën të drejtën e protestës për t’iu imponuar forcërisht jo vetëm shumicës së aktorëve, por edhe qeverisë e bashkisë duke marrë peng një pasuri të përbashkët, godinën, pronën e përbashkët, pronën publike, pronën shtetërore të teatrit, për dy vjet me radhë dhe duke e vonuar me forcë, zhvillimin e një projekti për teatrin e ri kombëtar. Nuk është kurrë dobësi t’i japësh vetes kohë, jo vetëm për të kuptuar arsyet e atyre që në emër të së drejtës së protestës të kundërvihen kur je në qeveri, por edhe të kërkosh përmes kohës një zgjidhje të arsyeshme edhe me ata”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit duke cituar Churchill tha se demokracia nuk është sistemi i përsosur. Sipas tij edhe në demokraci janë të pashmanshme padrejtësitë e protestat dhe se këto të fundit janë të dobishme për qeveritë.

“Pse protestojnë njerëzit në demokraci? Sepse demokracia siç e ka thënë më mirë se sa të gjithë të tjerët Churchill nuk është një sistem i përsosur, por është më i keqi, po të mos llogarisim sistemet e tjerat. Demokracia është e keqja më e vogël ndër sistemet e njohura deri tashmë. Padrejtësitë janë të pashmangshme edhe në demokraci. Prandaj edhe protestat janë të pashmangshme njësoj si demokracitë. Por protestat janë të dobishme. Qeveria, edhe më e mirë në botë nëse ekziston një e tillë nuk është e pagabueshme. As nuk i zgjidh dot të gjitha hallet e problemet e një shoqëria”, tha Rama.

Rama ndodhej në ministrinë e Brendshme, ku kaloi stafetën e detyrës nga Sandër Lleshaj tek ministri i ri, Bledi Çuçi./tvklan.al