Në mbyllje të procesit të votimit, Kryeministri Edi Rama iu drejtua socialistëve nga selia rozë, duke e konsideruar procesin një fitore për shtetin dhe demokracinë. Sipas Ramës, 30 Qershori ishte një mësim për të ardhmen për të mos pasur kriza të tilla para zgjedhjeve.

“Ne nuk fituam ndonjë betejë për mandatin e ardhshëm të bashkive, por luftën përgjithmonë për zgjedhjet. Nga sot, Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, molotov, bojkot dhe fronte. Për ata është një mësim, por edhe të gjitha partitë dhe përgjithmonë. Nga sot, ne, fitimtarët e 30 qershorit, nuk fituam ngaqë kemi bërë punë shumë të mira, apo se mjaftojnë ato që kemi bërë.

Gjithsesi kreu i mazhorancës i drejtoi një mesazh opozitës, duke shtrirë dorën e bashkëpunimit.

“Nëse duan paqe, paqe do të kenë dhe paqja mund të fillojë vetëm duke u tërhequr nga sulmet kundër Shqipërisë. Nëse duan marrëveshje për Shqipërinë, marrëveshje do të kenë, vetëm me dialog pa kushte dhe shprehje për t’u angazhuar të gjithë për celjen e negociatave. Dora ime është e shtrirë, reforma zgjedhore mbetet sfidë me opozitën parlamentare dhe atë jo parlamentare. Gati të bëjmë reformën zgjedhore, por reforma në drejtësi nuk preket”.

Një tjetër mesazh Rama e pati për socialistët, duke premtuar nisjen e një dialogu të brendshëm.

“Gjatë muajit Korrik do të bëhet një analizë e thellë jo vetëm për qeverisjen, por edhe brenda PS-së, është koha për një politikë të re duke hapur partinë”.

Rama paralajmëroi se askush nuk do të largohet nga puna në bashkitë që qeveriseshin nga opozita.

“Asnjë grua apo vajzë nuk do të largohet. Vendet e zëna me kushërirllëk apo pa meritë nuk kanë si të justifikohen, as mos pastrohen”.

Mesazhin e fundit, por jo pa emocione e pati për socialistët.

“Për socialistët dhe simpatizantët nga ata që nuk më lanë kurrë të ndihem vetëm në përpjekjen kokëfortë, tek ata që erdhën të më dëgjonin në pikun e vapës dhe atë që sot e mbytën me thonjtë e ngjyrosur në kutitë e votimit fantazmën e dhunës nuk gjej dot fjalë që përcjellë atë që ndiej. Ju dua shumë fare. Kjo është shprehja më e bukur për mua, që ma thotë Zaho dhe që unë vdes fare. Faleminderit, Lindës, Gregut, Reas, dhe të paepurës Aneta Ramës”.

Tv Klan