“Fletërrufe e revolucionit kulturor kinez”

Gjyqësi eksperimentale ndërkombëtare, i cilësoi Kryeministri Rama akuzat e ngritura kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kreut të PDK-së, Kadri Veseli nga Prokuroria Speciale.

“Përballë historisë, as Thaçi, as Veseli, as Haradinaj dhe asnjëri nuk kanë nevojë për asnjë mbrojtjeje publike, sepse përtej kësaj tërkuze të një gjyqësie eksperimentale ndërkombëtare, ata janë vendosur në anën e drejtë të historisë dhe e kanë bërë historinë vetë.”

Nga foltorja e Kuvendit me tone të ashpra, Rama nuk hezitoi t’i krahasonte akuzat për krime lufte ndaj dy drejtuesve të UÇK-së me fletërrufetë e revolucionit kinez, që sipas tij, vënë barazinë mes viktimës dhe dhunuesit.

“Pas 21 vitesh, del një tekst që në mënyrë implicite vë një shenjë barazimi, përfundimtare duke barazuar viktimën dhe xhelatin. Një ndërmarrje barbarie shtetërore e ndërmarrë nga Miloshoviçi dhe rrethi i tij, vrau 10 mijë civilë të pafajshëm, dhunoi 20 mijë gra të pambrojtura dhe nxori me dhunë ushtarake 1 milionë shqiptarë brenda javës. I ngjan një fletërrufeje të revolucionit kulturor kinez, ku fryma diskredituese asgjëson vetë prezumimin e pafajësisë. Dhe pikërisht kjo e kthen atë tekst në një rrugë që godet shumë më përtej dy emrave të përveçëm.”

Si dëshmi të drejtësisë selektive nga Tribunali i Hagës solli edhe rastin e ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Ramush Haradinaj la detyrën e Kryeministrit të Kosovës në 2005 për t’ju përgjigjur thirrjes për akuza për krime të Tribunalit, për krime luftë. Dhe dy herë doli i pafajshëm. Për herë të parë në historinë e Tribunalit të Hagës, ndodhi që një person i shpallur i pafajshëm që të kthehet në rigjykim pas apelimit, ku prokuroria nuk gjeti asnjë provë.”

Dhe kur foli për gjyqësi eksperimentale, kritikat adresohen ndaj ndërkombëtarëve.

“Erdhi fjala nga Brukseli, Londra e Berlini, Washingtoni dhe drejtësia është përballë atyre autorëve të tekstit, turpi i atij teksti s’do amnistojë në asnjë katedër në botë që u bie kokës dhe çon lajmin se dy monstra hanë njerëz e janë në krye të këtij shteti”.

E teksa drejtuesit e shtetit të Kosovës dënohen, tha Rama, Serbia vijon me hapjen e kapitujve për në Bashkimin Europian.

“Kjo është një çorbë, përballja e gjatë do ta bëjë UÇK-në më të fortë në kujtesën e shqiptarëve dhe do e bëjë Kosovën me të mirë dhe pse nuk duket kështu sot.”

Tv Klan