“Kurti po bën gjënë e duhur. Mos e quani “tradhtar”

Një ditë para nisjes së gjyqit ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, Kryeministri Edi Rama përsërit rezervat që ka për Gjykatën Speciale dhe thotë se janë të papranueshme akuzat ndaj tyre duke theksuar se ata u luftuan për liri.

“Mbetem i mahnitur nga sensi më negativ, nga fakti që udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizje çlirimtare popullore, jo i një ushtrie të organizuar, por i një rebeli ndaj një regjimi brutal që synoi të spastronte etnikisht shqiptarët në Kosovë akuzohet, akuzohen së bashku si kriminelë. Një proces, që mua më bën të mendoj mos vallë ky do jetë fati i presidentit Zelenski pas 10 vjetësh”.

Shfaqja në krah të Aleksandër Vuçiç në Verona të Italisë në ditën kur në Prishtinë u mbajt tubimi masiv në mbështetje të luftës së UCK-së, Rama thotë se është rastësi.

“Kjo është një rastësi e plotë”.

Rama del në mbrojtje të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për mënyrën si ai e ka trajtuar dialogun me Serbinë.

“Nuk i kuptoj fare ata të cilët e konsiderojnë tradhtar. Natyrisht për gjëra të cilët dhe për të cilat ai i ka konsideruar tradhtar të tjerët më përpara por kjo nuk ka asnjë lidhje se këto janë gjëra krejt të ndara. Si kryeministër i Kosovës ai po bën gjënë e duhur”.

Rama thotë se pavarësisht incidenteve në veri të Kosovës, dialogu ka ecur përpara.

“Incidentet dhe përplasjet nuk kanë munguar, por ama nga ana tjetër, gjatë gjithë këtij procesi gjërat kanë ecur përpara”.

Tv Klan