Rama reagon për tërmetin në Turqi dhe Greqi

Rama reagon për tërmetin në Turqi dhe Greqi

17:59 30/10/2020

Vlerëson bisedën telefonike mes Erdogan dhe Mitsotakis

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për tërmetin shkatërrimtar që goditi këtë të premte Turqinë dhe Greqinë. Teksa shpreh trishtim dhe keqardhje për të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore, Kryeministri Rama vlerëson bisedën që pati Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Sipas Ramës, kjo bisedë është një dritë mirësie dhe shprese për vetë Europën.

“Trishtim e keqardhje për goditjen nga tërmeti në Turqi e Greqi dhe lutje për viktimat e solidaritet vëllazëror me familjet e tyre. Në këtë ditë kaq të zymtë, biseda mes udhëheqësve të dy vendeve një dritë mirësie mes të dy popujve dhe shprese për të nesërmen e vetë Europës”, shkruan kreu i qeverisë shqiptare, në një postim në Twitter.

Ndonëse tensionet mes Greqisë dhe Turqisë kanë qenë të larta muajt e fundit, Erdogan dhe Mitsotakis zhvilluan një bisedë telefonike pasditen e kësaj të premteje, ku theksuan ndër të tjera se “pavarësisht diferencave, këto janë kohë kur popujt tanë duhet të qëndrojnë së bashku”.

Të paktën 14 persona humbën jetën, ndërsa 427 të tjerë mbetën të plagosur nga lëkundjet e forta sizmike që goditën këtë të premte Turqinë dhe Greqinë. Të dhënat janë paraprake dhe numri i viktimave e të lënduarve mund të jetë më i lartë.

Tërmeti i fuqishëm, që sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan (USGS) ishte me magnitudë 7 të Shkallës Rihter, ra në brigjet turke të Egjeut dhe në veri të ishullit grek të Samos, duke shkatërruar një numër të madh banesash.

Në Izmir, të paktën 12 persona kanë humbur jetën, ndërsa 419 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Në Samos mbetën të vrarë 2 adoleshentë. Ata humbën jetën pas rrëzimit të një muri. Ndërkohë, të paktën 8 persona mbetën të plagosur. /tvklan.al





Të ngjashme