Shefja e re e diplomacisë evropiane Kaja Kallas e nisi vizitën e parë në Tiranë me një falenderim për kryeministrin Rama për rolin e tij në reformat brenda vendit dhe stabilitetin e rajonit.

“I dashur Edi. Ju jeni i dobishëm edhe për stabilitetin në rajon. Shqipëria ka agjendë ambicioze që të përmbyllë negociatat me BE brenda 2027. Shqipëria s’ka rrugë të lehtë, duhet të bëjë reformat. E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm. Shteti i së drejtës është themeli i BE-së dhe sjell begati për një vend”, është shprehur Kaja Kallas.

Kallas ftoi të gjitha palët politike të bashkëpunojnë, për reformat e integrimit.

“Unë kuptoj se qytetarët shqiptarë e kanë dhënë mbështetjen e tyre, për anëtarësimin e vendit në BE. Për këtë duhen reforma të vështira që kërkojnë mbështetjen e të gjithëve në shoqëri. Duhen jo thjesht reforma por edhe zbatimi i tyre ne praktike gjë që kërkon mbështetje të plotë edhe të partive politike”, shtoi më tej kryediplomatja Kallas.

Kryeministri Rama tha se ishte krenar për reformën në drejtësi nëpërmjet së cilës po hetohen dhe arrestohen zyrtarët e lartë.

“Jam shumë krenar sepse ky është një nga ato gur themele që mund t’i mbulojë llumi i kënetës së politikës së përditshme, por historia i kujton dhe i mban parasysh si momente të shtetbërjes dhe patjetër që nuk jam i kënaqur, jam shumë krenar dhe do vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht këtë proces të barazisë para ligjit dhe aleanca me Bashkimin Europian është një garanci absolute për këtë”, shprehu fjalën e tij kryeministri Rama.

Nuk ka asnjë shqetësim për tarifat e vendosura nga SHBA.

“S’kemi asnjë shqetësim lidhur me këtë temë. Qasja jonë ndaj gjithë kësaj politike të re që po bëhet me tarifat është një qasje shumë e thjeshtë, në njëfarë mënyre komode për pozicionin tonë, për vetë volumin e tregtisë që ne kemi me Shtetet e Bashkuara dhe në rast se i referoheni edhe tabelës së tarifave të shpallura nga Salla Ovale ne nuk kemi arsye të kemi asnjë shqetësim”, shtoi më tej kryeministri.   

Kryediplomatja evropiane Kaja Kallas pati një takim edhe me presidentin Begaj.

Klan News