Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion” ku foli për kabinetin e ri qeveritar. Kreu i qeverisë tha se skuadra e tij ka disa komponentë dhe është e pranishme në Kuvend, parti dhe qeveri. Rolet që individë të caktuar marrin në qeveri, sipas Ramës nuk janë të përcaktuara njëherë e përgjithmonë.

Megjithatë, Rama u shpreh se në vëmendjen e tij në vijim do të jetë reforma brenda Partisë Socialiste, pasi sipas tij selia rozë duhet të jetë më e pranishme në jetën demokratike të vendit. Ai mohoi që po projekton një kupolë të re në selinë rozë.

“Pikët e sondazhit tregojnë një vlerësim të opinionit, por pastaj nuk tregojnë këto të tjerat që janë një tufë pa peshë. Sa i përket ministrave, skuadra jonë ka 3 komponentë. Skuadra jonë është në Kuvend, në parti dhe në qeveri. Rolet nuk janë të përcaktuara njëherë e përgjithmonë. Rolet përcaktohen në bazë të atyre që janë prioritetet dhe nevojat e një periudhe kohe që preferueshmërisht do të ishte 4 vjet për të gjithë, por jo që detyrimisht është 4 vjet për të gjithë. Ka shumë rëndësi jo vetëm kush caktohet. Është një skuadër që duhet të jetë e organizuar. Sot ajo që ka qenë thelbësore dhe që do të jetë shumë në vëmendjen time dhe tonën në vazhdim është reforma brenda Partisë Socialiste dhe jo në sensin thjesht të strukturohet brenda, por reforma për ta kaluar PS në pikëpamjen e pranisë së vet në jetën demokratike të vendit. Sa i përket popullaritetit është një anë e medaljes, varet nga periudha.

Peshën politike e përcakton zgjedhësi. Qeveria nuk është asnjëherë thjesht dhe vetëm një ekip i organizuar nga partia. Kemi pasur gjithmonë njerëz në qeveri që kanë ardhur nga shoqëria dhe sot janë figura të partisë. Kështu bëhet ripërtëritja. Nuk po projektoj asnjë kupolë të re, por mendoj se qeveria që ne e kemi gati për këtë mandat, është qeveria e duhur për të realizuar objektivat e këtij mandati. Për çdo pozicion, ata që shikoni aty janë vendosur për arsye shumë të përcaktuara profesionale dhe arsye të përcaktuara që lidhen me programin”, tha Rama. /tvklan.al